>
LETERSISHQIP

Biletë Për Në Paris

Tani,
ëndërrojnë turmat e botës
në kët orë të pagjumë
mes të ftohtit që zbret
në gjokse çiliminjsh
që shtrihen mes rrugëve
duke pritur lirinë.
Arratisje nga një stinë,
pranga të moçme
që na mbajnë lidhur;
një biletë për në Paris,
pulla postare nga Londra,
demonstratë në një shesh në Madrid,
greva e minatorëve në Ukrainë.
Është shtator,
bien gjethet,
një tren ecën stepave të Moskës.
Është ora 11 e mbrëmjes
dhe rrugët janë të zbrazëta.
Ëndrra që na mbajnë lidhur pas prangave;
një pullë postare
me fytyrën e Leninit,
mes shënimeve ca rreshta të Marksit.
Në iniciale shkruar emri yt;
Të dua!
Si çdo tingull i paformë
që del nga kafka ime miope.
Shoku Leon,
dogmatik.
Racional,
I ftohtë,
Pa dashuri.
Greva e naftëtarëve
dhe kujtimet e një dite
gjysmë në shi.
Ëndrra që varen në dy skajet e ylberit.
Heshtje makabre
në autobusin
që të shpie te sheshi.
Turma vraponjëse,
që rendin pa pushim
Në pushimin e drekës,
në ndërrimin e turnit.
Pritja e gjatë,
e vetme,
zëri i shokëve
në anën tjetër të telefonit,
Një biletë pa kthim,
në trenin për në Paris.
Të dua!
Si çdo formë e qashtër e kësaj bote.
Tinguj të pazhurmë
që vrasin heshtjen që
ndezim unë dhe ti.
Shkëndijat pa fund të një jete,
çan me ngut stepave të Moskës
një tren pa stacione
që ndalon aty ku u nis.