>
LETERSISHQIP

Anës Ballkonit

Përshtatur nga "Anës lumenjve" të F.S.Nolit
I ngujuar, bajatosur,
Mbyllur, karantinosur.
Po vajtoj pa fund, pa shpresë,
Brenda mureve në banesë.
Ku e lam' e ku na mbeti?
Po ku mbeti krejt mileti?
Anës rrugës, i padalë.
Nga ballkoni, i pafjalë.
Larg njerëzve, i pallafe,
Pranë kafes, i pakafe.
Lakuriq dhe i dregosur.
Nga ky virus i dreqosur.

Se ç'e pësuan kamarierët
Taksistët e berberët.
Se ç'e pësuan pazarxhinjtë
Pa punë mbeten kafexhinjtë.
Se ç'i la shumë të papunë
Koronavirusi i mallkumë.
Të mbyllur në karantinë,
Gjithë diten tu e rujt shpinë.

Çirrem, digjem i vrerosur,
Në banesë, karantinosur.
Pres mu ba 5, sahat futa,
Me dalë jashtë 90 minuta.
Se ç'u lodha, se ç'u mpaka
Tu e pritë kohën u plaka.
Larg prej kafeve t'Prishtinës
Anës televizorit, anës tavolinës.
Çakërdisur, batërdisur
Përpëlitur e zalisur.
Ëndërroj, pa fund, pa shpresë,
Anës mureve në banesë.

Nga kuzhina, jo nga lumi,
Vjen një zë, më zgjon nga gjumi.
"Çu se dreka u ba gati"
"Çu, se 5 u ba sahati"
Haj medet more djalë!
A me hangër, a me dalë?
Po nuk dola orari shkon,
Drekë dy herë gruja nuk shtron.
Dhe dilemës i jap zgjidhje
Foli gruja qysh i ka hije.
"Dil shfrytëzoje çdo minutë
Mos i hap syte sikur hut".
"E kur t'kthehesh drekën ta shtroj
Edhe çajin ta përvëloj".

Ky ilaq e ky kushtrim
Më bën djalë e më bën trim.
Më jep forcë e më jep shpresë
Brenda mureve, në banesë.
Se mbas pandemisë vjen një verë,
Që do dalim dhe një herë.
Mu tek sheshi, aty n'kafe
Me pi espresso, me ba llafe.

Një orë e gjysmë, si i marrosur,
Dal me maskë në gojë vendosur.
Për t'u kthyer prapë me shpresë,
Anës mureve në banesë.
Prishtinë, 19 prill 2020