>
BIOSHQIP
Biografia
AUTOBIOGRAFI:
I lindur 15 ditë para Vitit Ri 1970. Nëse të them se kam lindur në spital, mos mendo se kam qenë i sëmurë, e nëse shtoj se kam lindur në Kosovë, mos mendo se kam lindur në burg, edhepse Kosova asokohet ishte një burg i madh, gjë që e dëshmuam me rininë tonë të bjerrë nëpër botë. Por më mirë nuk po e dramatizoj. Përndryshe, edhe unë jam i shekullit të kaluar: atje më kanë lindur pa më pyetur fare, e në këtë shekull kam hyrë pa pyetur askë. Në ketë shekull shumica kemi hyrë pa bileta!... A jemi ilegalë?!

A mund ta marrësh me mend çfarë nxënësi mund të jetë dikush që nuk e ka pasur mësues Aristotelin si e kishte Aleksandri i Madh por e kanë mësuar një Elmaze, një Seniha, një Ali, një Ramush dhe tipa e tipesha të ngjashme të Mesjetës së vonë shqiptare?!... Natyrisht se i tilli, në vend se Aleksandër i Madh nuk mund të arrijë më shumë se Dardan i Vogël, por as kjo nuk është pak...
Ndaj, ma merr mendja se as që ke pritur se edhe unë duhet ta pushtoj botën si Aleksandri. Ç'është e vërteta edhe kam mundur të bëjë diç të ngjashme, por e kam bërë vetëm një gabim që në fillim: nuk jam nisur në Lindje (drejt Penxhabit e Indit si Aleksandri) POR në Përendim jam nisur (si Pirrua), prandaj dhe fitorja ime është „fitore e Pirros" (shfletoje fjalorin e filozofisë nëse nuk e di, e gjenë te ata që shesin gështenja skajeve të rrugëve, nëse nuk e kanë bibliotekat gjysmë të bëra shkrum).

...Por, ky „por" është me rëndësi: falë Beg-ut, Dandee-t, Canabis-it, përndryshe as fakultetin nuk do ta kisha gjetur ku të regjistrohem. E fakulteti, ai i arkitekturës, më ka bë përshtypje sidomos me menzën e vogël ku vinin shumë interesentë për vajzat tona të bukura, gjë që edhe mua më obligonte të jem ca i rregullt në ligjerata e sidomos në bufet, dhe fakti se jo larg fakultetit ka qenë qebaptorja e Vaxhidit dhe Vetonit, të cilët kanë merita vitaminoze për ne studentët, që për hirë të qebapave të sillemi rreth fakultetit më shpesh.

Me 1991 ia therra për Evropë me një kitarë pas krahut, për „dy-tre muaj" e po bëhën 120 muaj (që bëj në dhjetë vjet në kalendarë e 100 vjet në jetë!). Tash jetoj në „trojet shqiptare" të Zvicrës, në Luçernë (gjithnjë rrëzë Alpeve shqiptare të Zvicrrës), dhe ndoshta një ditë do të kthehem në -Zanzibar a Tanzani. (A thashë -Tunguzi, a më bënë veshtë?)

Ç' është e vërteta, për biografinë nuk shkruaj me dëshirë, pasiqë biografi ka çdonjëri. Atdhe nuk kam sepse e kemi të përbashkët. Atdheun nuk mund ta kem unë: e kemi - ne, apojo? Besoj që edhe shtet tonin do ta kemi, nëse nuk na e hanë minjtë në ndërkohë. Dhashtë zoti që të na përputhen atdheu me shtetin dhe as vendlindjet mos të na mbesin jashtë, se nga të ftohtit politik tëkurren ato e gjë nuk mbetet prej tyre. Për varre nuk do të shkruajmë: ato prona nuk deklarohen, edhepse as ato nuk janë të patundshme!!!

Në jetën time ka pasur edhe: dashuri e urrejtje, art e protestë, poezi e shqetësim, krajata e ëndërra shumë; ka qenë edhe ndonjë shpërblim, ndonjë medalje e bukur, do duartrokitje pa çmim. Kam shkruar poezi, tregime, me humor jam marrë saherë që ia kam pasur frikën pikëllimit, kam komponuar kur s'kam pasur punë tjetër, e, kam kënduar saherë s'kam pasur gjumë e guxim.

Por edhe e kam shkarravitur këtë gjysmë jete, herë për qejfi të huaj e herë për inati tim, sepse... ashtu kam dëshiruar, be! Më mirë s'kam dijtur, më keq s'kam guxuar, le të dalë ku të dalë. Edhe unë si të tjerët. Si gjithë bota...

Në vitin 1997, Dardan Shkreli publikon albumin "Thirre Emrin Tim".

Më datë 30 Maj 2007, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Ti Je Shtriga Më E Madhe Në Botë, Por Unë Prap Vetëm Ty Te Dua".

Më datë 5 Qershor 2013, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Unë Pas Teje", në bashkëpunim me Mc Beka.

Më datë 5 Qershor 2013, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Me Be All Around You (Stalker)".

Më datë 26 Korrik 2013, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Mona".

Më datë 29 Korrik 2013, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Tina".

Më datë 12 Janar 2015, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Each Time It Snows In Rome".

Më datë 4 Qershor 2015, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Liria".

Më datë 13 Prill 2016, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Qe Pse!". Muzika e këngës u punua nga vetë Dardan Shkreli, teksti u shkrua nga vetë Dardan Shkreli.

Më datë 15 Prill 2016, Dardan Shkreli publikon videoklipin "Here's Why". Muzika e këngës u punua nga vetë Dardan Shkreli, teksti u shkrua nga vetë Dardan Shkreli.