Më mbaj mend (për 1 muaj)

Denisa Onjea
  • Vendlindja:
  • Fushëbardha 
  • Jeton dhe vepron në :
  • Shqipëri 
  • Mosha:
  • 31 Vjeç
Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  4
Këndon kryesisht: klasike

Denisa Onjea është këngëtare e njohur. Denisa Onjea është fituesja e edicionit te pare te “Tu si que vales”. 26-vjeçarja që për herë të parë shkeli skenën e “Tu si que vales” e shoqëruar nga profesor Robert Radoja në piano, ka shkëlqyer në çdo mbrëmje. E veshur në të bardha, Denisa që nga Akademia e Arteve ka udhëtuar drejt një skene gjigande, arriti të triumfojë mes dhjetëra konkurrentëve që vinin jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga shumë vende europiane. Rrugëtimi i suksesshëm i “Tu si que vales” që përcolli përmes ekranit te Vizion Plus art dhe emocione per 12 jave rresht, ka kurorëzuar edicionin e parë nën emrin e Denisa Onjea.

Studentja e Akademisë së Arteve, Denisa Onjea rrëfen suksesin e saj në talent showun “Tu Si Que Vales”, jetën e vështirë nga mungesa e dritës së syve, por me shumë pasion dhe ëndrra për të ardhmen. Denisa Onjea, 24-vjeçarja me origjinë nga Fushëbardha e Gjirokastrës, që banon në kryeqytet që prej fëmijërisë së saj dhe që spikatet për zërin unik. Është quajtur shpesh talent e tashmë po kthehet në një profesioniste, duke fituar gara.

Zë unik e quajnë profesionistët zërin e Denisës, i cili përshtatet më së miri në një prej zhanreve më të vështirë të muzikës, në kanto. Asnjëherë nuk ka mundur të shikojë koloret, bukuritë apo personat që e rrethojnë, por gjithçka e shikon si sfidë dhe përpiqet të arrijë synimet e saj. Është e karakterizuar nga dëshira për të folur dhe treguar rreth muzikës dhe vetes së saj. E dashur, e shoqërueshme, modeste, krijuese dhe e pasionuar së tepërmi pas muzikës cilësore. “Unë kam lindur në një qytet të vogël dhe kam pasur një fëmijëri të qetë. Kam qenë vajza e vetme në familjes, një llasticë e vogël me bishtaleca. Në moshën 7-vjeçare erdha të jetoj në Tiranë bashkë me familjen, me dy prindërit e mi, sepse duhej të filloja shkollën këtu. Vazhdova shkollën te Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë, i vetmi institucion shkollor për edukimin e fëmijëve me probleme të shikimit në vend. Në këtë shkollë fillova të studioja dhe mësova metodën brail dhe çdo teknikë tjetër që më nevojitej për t’u shkolluar. Fatmirësisht gjithçka eci mirë”, rrëfen Denisa. Për talentin e saj në muzikë është spikatur që në fëmijëri. “Kam filluar të studioj piano që në klasën e parë të ciklit 8-vjeçar. Prirjen time për muzikën e dalluan prindërit e mi që kur unë isha një fëmijë. Ata e vunë re këtë gjë në moshën 4-vjeçare. Unë këndoja gjithmonë nëpër shtëpi dhe në moshën 5-vjeçare, për ditëlindjen time, babai më bëri dhuratë një tastierë, një organo të vogël dhe mbaj mend që më pëlqente t’i bija dhe të këndoja”, tregon ajo. Pasioni për muzikën tek Denisa nuk është shuar asnjëherë. Vit pas viti ky pasion është rritur duke i kushtuar shumë orë studimi në ditë. “Mësimet e para të pianos i mora këtu në institut, fillova të mësoja teorinë e muzikës dhe kam studiuar 8 vjet rresht piano. Para se të filloja Liceun kisha disa vite që më kishte lindur dëshira të vazhdoja për kanto. Pasi kalova me sukses konkursin fillova shkollën e mesme tek Liceu Artistik “Jordan Misja”. Vazhdova ciklin 4-vjeçar të shkollës së mesme për kanto. Pastaj fillova Universitetin e Arteve, ku aktualisht studioj për degën e kantos dhe tani jam në prag diplomimi për ciklin master”, thotë ajo. Ajo studion për një zhanër muzikor që jo të gjithë këngëtarët munden ta praktikojnë. “Unë studioj zhanrin klasik të muzikës. Në këtë lloj muzike unë gjej veten time dhe jap maksimumin. Idhujt e mi në muzikë janë Moxart, Donizeti, Verdi, Bah e të tjerë, të cilët më kanë shtyrë ta dashuroj akoma edhe më shumë këtë muzikë. Muzika është një pjesë e shpirtit tim”, u shpreh Denisa.

Ajo ka hasur shpeshherë vështirësi në shkollimin e saj, por nuk është dorëzuar në asnjë moment. “Vështirësia ime më e madhe ka qenë dhe është mungesa e partiturave në shkollën e mesme dhe në universitet. Kam pasur gjithmonë vështirësi në studim, ndryshe nga cikli 8-vjeçar, ku të gjithë nxënësit ishin njësoj dhe studionin të gjithë me të njëjtën metodë. Unë i kam shkruar partiturat me ndihmën shumë të madhe të pedagogëve, të shokëve të mi, shoqeve dhe me punën time që e kam dashur aq shumë. Po kështu nuk jam dorëzuar dhe me mbështetjen e shumtë të familjes, që gjithmonë më kanë krijuar një ambient të ngrohtë dhe mbështetës. Të gjithë shokët e shkollës në universitet leksionet i lexojnë shumë shpejt, ndërsa mua më duhen mesatarisht pesë orë për të mësuar një leksion”, rrëfen ajo.

Pavarësisht të gjithave, Denisa, si çdo e re, është e mbushur plot me ëndrra për të ardhmen, dhe midis tyre nuk mungon dëshira për të pasur edhe një këngë të sajën. Këtë ajo nuk e shikon thjesht si një karrierë, por si dëshirë shumëvjeçare për të realizuar një vepër të vërtetë muzikore. “Dëshira për të jetuar më bën dhe shtyn që të eci para. Unë dëshiroj që të kem këngën time në të ardhmen, por akoma nuk e di. Do të kem një këngë atëherë kur unë të bindem, dhe me një kompozitor që të më marrë përsipër të më bëjë një vepër muzikore, një këngë në zhanrin që unë këndoj. Një këngë klasikë dhe unike. Në të ardhmen kam dëshirë të punoj në profesionin tim, po kështu edhe të jap mësim. Por, kam dëshirë të këndoj edhe në opera, në kore, sepse nuk qëndroj dot larg muzikës. Sapo të diplomohem, do të kërkoj një vend pune ”, rrëfen Denisa.

Jeta për Denisën nuk ka qenë shumë e thjeshtë. Në adoleshencë nëna e saj u nda nga jeta dhe kjo nuk ishte e lehtë për Denisën. “Isha shumë e lidhur me mamin tim, si çdo vajzë me nënën e saj, por edhe pas kësaj dhimbjeje mblodha forcat e mia dhe vazhdova jetën. Babin e kam pranë në çdo hap të jetës, është një mbështetje shumë e madhe për mua”, tregoi ajo. Denisa është e disponueshme për të folur rreth gjithçkaje që ka informacion dhe është e mbushur plot me pasione. “Më pëlqen letërsia.

Autorët që më pëlqejnë janë shumë, si Dostojevski, Ismail Kadare etj. Po kështu më pëlqen natyra, të shëtis, të eksploroj. Por, muzikës ka raste që i kushtoj edhe gjithë ditën time, shumë kohë, varet edhe sa më mban vokali”, u shpreh Denisa. Një ditë e zakonshme për të është mbushur me orë tëra duke studiuar. “Paradite edhe pasdite, vazhdoj procesin normal të studimit. Frekuentoj orët mësimore dhe po përgatitem për diplomën. Po kështu dal edhe me shoqërinë. Këto kohë kam qenë e angazhuar edhe me prova tek një talent show. Për çmimin e parë që fitova jam ndier shumë mirë, aspak e diskriminuar. Kam fituar për shkak të zërit tim, dhe jo verbërisë time. Jam artiste në radhë të parë, pastaj një artiste e verbër”, u shpreh ajo.

Denisa është angazhuar gjithmonë me aktivitete duke i vlerësuar ato shumë pozitivisht. “Zakonisht jam bërë pjesë e aktiviteteve, sidomos vitin e fundit. Në klasën e gjashtë na kanë përzgjedhur nëpër shkolla dhe kam qenë në festivalin e këngës interpretuese për fëmijë të zërave të rinj, kam fituar çmimin e dytë asokohe. Po kështu, instituti VISUM, organizata në të cilën, unë dhe miqtë e mi ideojmë projektet tona, së bashku me Forumin Rinor të Aftësisë së Kufizuar organizuam edhe një “Dark Dinner”, një aktivitet komplet në errësirë, një program artistik ku menin pjesë të personat e verbër. Edhe në datën 15 tetor që është dita ndërkombëtare e të Verbërve në sallën e qendrës së katedrales së re ortodokse organizuam një aktivitet”, të quajtur “Ecim vetëm… marshojmë së bashku”, thotë ajo.

» Dërgo Korrigjime »

» Tekstet e Këngëve »

Komente

Asnjë Koment


Komente mbi këtë artist


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet