>
LETERSISHQIP

Udha E Mbarë Evlati I Jem

Bijës sime, Margaritës
Loçka e zemrës, sot po dhemb –
Udha e mbarë evlati i jem!
T’ përcjell baba, për n’ kurbet,
Paq jetë t’ gjatë e paq shëndet!

S’ diti nëna, ty kur t’ bani –
Se do t’ çojë tej Oqeani !
S’ diti nëna, se do t’ rritë –
Të çojë nuse n’ Amerikë!

Kur t’ i shohësh diell e hënë –
Mos harro, ti, babë e nënë!
Mos harro, ti, bukë e krip –
Ku t’ mësoj nëna me fol shqip!

Kah t’ fluturosh me aeroplan –
Mendoi prindërit ku i ke lanë!
Mendoi lapsat, mendoi librat,
Mendoi lodrat, gjithë të mirat!

Kur t’ i fshish gjethet e mollës –
Mos harro bankat e shkollës!
Kur t’ i fshish gjethet e arrës –
Mos harro këngët e babës!

Kur të bien rrudhat prej hallit –
Mos harro këngët e mallit!
Mos harro prindërit për s’ gjallit,
Që t’ kanë dashtë si sytë e ballit!