>
LETERSISHQIP

Shpejt Kaloi Edhe Kjo Verë

Shpejt kaloi edhe kjo verë,
Dhe prapë drynat na i vuri n’ derë!
Dhe prapë dyert na i la nën dry,
Dhe prapë nënat me lot në sy!

Prapë oborri i zbrazët mbet,
Fëmijët tanë na shkuan n’ kurbet!
Vëzhgojnë prindërit me lot në shkallë –
S’ kanë me kënd ma me u çmallë!

Baba plak, vëzhgon drejt qiellit –
Aeroplanët drejt Perëndimit!
Zjarr e prush i ka në zemër –
Nipa e mbesa s’ i ka në prehër!

Shpejt kaloi stina verore,
S’ mbetën lapsa, as fletore!...
S’ mbeten lodra, s’ mbeten kukulla,
N’ heshtje t’ gjumit ka rënë kulla!

Vend – pikëniqet për freskime,
Mbetën zbrazur, si jetime!
S’ ka ma gaz, as përqafime,
Buzëqeshjet u kthyen n’ pikëllime!

Zemra e babës – zemër guri,
Paska qenë ma e fortë se guri!
Si nuk çahet copa – copa,
Kur fëmijët ia mori Evropa?!

Zemra e nënës – zemër kreshnike,
Paska qenë e fortë çelike!
Si s’ u ça, as nga tërmeti,
Kur fëmijët ia mori kurbeti?!

Sytë e nënës – shkëndija motesh,
Si s’u shterën kurrë prej lotësh?!
Goja e nënës – liqe që s’ thahet,
Zemra e nënës – planet që s’ ndahet!