>
LETERSISHQIP

Të Prisja Të Sillje Pranverën

Të prisja të sillje pranverën,
t’i hidhje aromë, bukuri,
se kjo tashmë është e zakonshme,
pranvera s’vjen, po s’erdhe ti.

Qenë bërë të gjitha përgatitjet,
të vinte hijshëm kjo pranverë,
asaj asgjë s’do t’i mungonte,
as flokët e tu nëpër erë.

Ndërsa ajo gatitej ngutshëm,
të hidhte përmbi supe veshjen,
të priste ty tek portë e marsit,
t’i bëje dhuratë buzëqeshjen.

Gjithë yjet tek ti mbanin sytë
dhe dilnin të prisnin çdo natë,
që ti me një vështrim të vetëm,
t’i ndizje yjet zjarr e flakë.

Ndaj ardhja jote mezi pritej,
ndoshta sivjet si asnjë vit,
kjo nuk është një formalitet,
kjo ardhje nuk është thjesht një rit.

Kjo ardhje është e domosdoshme,
si ardhja e foshnjës, si një fat,
ndaj pritet si një festë antike,
me ritual krejt të veçantë.

Por kjo pranvera e sivjetshme,
diçka pësoi, në shpirt është vrarë
dhe ne në shtëpi jemi mbyllur,
ngujuar si dy kështjellarë.

Pranvera hesht, se është plagosur,
ndaj rri e strukur, e hutuar,
unë edhe ti në shtëpitë tona,
rrimë si dy robër të vetmuar.

Por diçka ndodh, diçka gatitet,
të ndeshet rreptë me antijetën
dhe ti me pranverën do vini,
më hijshëm se çdo herë tjetër.