>
LETERSISHQIP

Andromaka Në Butrint

Andromaka në bedenë,
rrinte vetëm, fillikat,
qe mëngjes, në horizont,
dielli çeli synë e zjarrtë.

Një puhizë si frymë fëmije,
e flladiste qetë- qetë
dhe e dhelte në fytyrë,
si shamizë e butë, e lehtë.

Butrinti, copëz parajse,
ofronte gjithë bukuritë,
e kish thënë vetë Andromaka:
-Si Butrinti s’ka të dytë!

Por ajo përtej nga lindja,
mbante të ngulur vështrimin:
-Ja, andej nga lind mëngjesi,
është Troja, qyteti i diellit.

Në pallatin mbretëror,
me mend bridhte cep më cep:
Troja ishte si një ëndërr,
ishte madhështia vetë.

Një lot si një gur i rëndë,
që zbret shpatit me vërtik,
nga syri i saj i trishtuar,
ra dhe u bë copë e çikë.

Me ca fjalë si plagë malli,
e theu heshtjen e vet:
-Troja, dhimbja jonë e madhe,
do na ndjekë pas përjetë.