TEKSTESHQIP
Këngë Të Shqipërisë Së Veriut - Kur E Përcolla Ylberin
Këngë Të Shqipërisë Së Veriut
Kur E Përcolla Ylberin

 Ai është më shumë se një mallkim kënge. Më shumë se një vaj Ajkune. Më shumë e më klithës se një vajtim vajtoce pranë një trupi të ftohtë të të vdekurit. Më shumë se një ujëvarë e dhimbjes. Më shumë se një gurrë që gurron diku në një cep të trojeve shqiptare dhe ende lëshon tej në lëndina e fusha piskama burrash, në male të thepisur mallkim kurbeti. Më shumë se një mal që sikur të rri në gjoksin e djegur nga malli, nga largësia. Më shumë se një lumë që vërshon jo në brigje, por në qelizat e trupit tënd. E ka marrë përsipër këtë gjë kënga. Një këngë e madhe. Një këngë-monument nga ato që nuk harrohen lehtë as me vite as me shekuj. Gati vetëm tre minuta këngë. Me një tekst të shkurtër dhe me një krymallkim. “Vitet e kurbetit, qofshin të mallku, ndau nanë e bir, ndau burrë e gru”. Të godasin rëndë, ëmbël, madhërishëm, këto vargje në këngët e popullit tonë. Të denja për skenarë filmash shumë më interesantë se filmat me mafia e krime të shumëllojshme. Apo për tema të tjera sociale. Edhe pse kanë shpesh dhimbje në hapësirat e tyre, janë vërtet perla të një kombi që e ka një shpirt të madh poetik dhe tingëllor, që e do ashtu si ai dhe vetëm si ai jetën, ëndrrën, këngën, të sotmen, që është i fortë për t’u përballur me të keqen që shpesh ia kanë dhënë të huajt, hallet, malet ku kanë marrë dru për djepet e fëmijëve dhe dërrasat e arkëmorteve për ata që ndërronin jetën. Kam para sysh këtu “Këngën e Rexhës” atë baladë të madhe, këngën “Moj fushë e Korabit”, këngën “ Xhamadani vija-vija’e dhjetëra të tjera . Në këtë gjerdan të artë të shpirtit të madh të kombit tim është kënga “Kur përcolla ylberin” Në cilën trevë të ketë lindur kjo këngë? Në Prishtinë? Në Pejë, Gjakovë? Në Dukagjin, në Bytyç? Në Kaçanik? Në Reçak? Në Krushë? Në Mitrovicë? Në Kukës, Dibër, Lumë, Maqellarë? Mos është simotra më e saktë e Vajzës së Valëve?? Ajo nuk shkruan çorape leshi, po rri atje në shkëmb, në një gur të ftohtë bash si me kenë një shkëmb më shumë në breg të Jonit dhe sheh detin, sheh gjemitë që shkojnë e vijnë. Asnjë zë për trimin e saj. Edhe ai është një Ylber që del e zhduket në një valë deti. Ku ishte këngëtari popullor apo poeti me letër ku shkruhen fjalët e një gjuhe tek përcillnin me sy me zemër me veshë, me shpirt Dadën që përcillte Ylberin e saj? Ishte njeriu–Ylber apo Ylberi-Dritë që bashkon brigjet, fushat me ngjyra të mrekullueshme? E Ylberi me pikëla shiu, me pikëla drite, fort të shkurtër e ka dritën, kohën. Po kjo udhë e Ylberit të këngës qënka fort e gjatë në kohë. Kush ishte ai fyelltar që e pa për herë të fundit atë takim të madh, të paharruar, atë takim të heshtur lotues? Atë takim pa amanete, pa thirrje pa ceremoni të veçantë. Ku është krijuar kënga, ku? Kuuuuu? Në brigjet e Drinit, të Vardarit, të Erenikut, të Bunës? Në brigjet e Kalamasë së Çamërisë me shamitë e ullinjve të moshuar në kodrat e strehët e rrëzuara të shtëpive. , Apo në brigjet e larta të thikta të shpirtit njerëzor shqiptar, shumë më të lartë se digat e botës. “Kur e përcolla Ylberin, Ktheva e hina n’odë, Kur ia pashë manxerrin nanë, Ia mbusha me lotë.” Dada-nuse nuk qan në takimin e fundit. Mos vallë ia ka thënë atë lot të padalë rrëzë qerpikut, duke ia rregulluar pak plisin e bardhë në kokë, duke ia rregulluar pak trastën e rënduar me ca rroba e me një kulaç të ngrohtë për rrugën e gjatë. ….Dhe më tej, një vit më vonë, dy ..aq sa nuk numërohen më, ajo nuk është më Dada. Kështu thotë kënga. Dhe duhet besuar për besë të fjalës kënga. Mos vallë nuk e di këngëtari se ajo është Dada?!! Joo, ajo tashmë është Zana. Një Zanë që nuk vrapon në burime, nuk vrapon në ograja, në maja . Nuk është Dhoqinë. Është Zana që jeton me një thes me halle. Që thinjet pak nga pak në magjen e bukës , në govatën me rroba. Në shtratin e ftohtë. Me halle në të dy skajet e jetës. Nuk është më flutura që prek lulet. Nuk është më vajza që qep pajën e dasmës. Që tund vekun e qilimit të pashtruar kurrë. Për të nuk ka më dasmë. Nuk ka lotë gëzimi, po lotë mërgimi. Nuk është i mërguar vetëm Ylberi. Jooo. Këtu në kullën pa burrë pa të qara fëmijësh në djep edhe ajo është mërgimtare në tokën e vet, në oxhakun e vet që do dru për t’ia hedhur. Në odën ku ka ftohtë e ka pak miq të largët e të afërt. Nuk ka telefona, por ka vetëm zë bilbilash që nuk e dinë për kë të këndojnë. Ka vetëm dallëndyshe që vijnë e shkojnë në atë strehë që ato e dinë mirë se ku është, edhe pse fluturojnë qiejve pa radar e pa busull. Edhe atje, në kurbet nuk ka telefona si sot, nuk ka skajp, nuk ka fakse. Nuk ka zë që të vijë që të përcjellë ëmbëlsinë, dridhjen e trupit të fytyrës, së qerpikut, të buzës që thotë disa fjalë të përmalluara. Nuk ka karta që të shkruajnë e të vijnë një mëngjes në këtë kullë të vetmuar mes maleve, ku edhe freskia e burimit nuk ka shije. Por ka vetëm një shami të qëndisur që njomet e thahet nga loti i fshehtë i burrit. Nuk ka ninulla fëmjësh. Nuk ka këngë dasma të fshati. Ah, ka vetëm thurje çorapesh dhe lotë mbi to? Vërtet pse po i thur çorapet Zana? Përseeeeee? Kush do i veshë çorapet e leshit, fanellat që thithin djersën e burrit që vjen nga arat, nga stanet? Dhe lart, vetëm një zgjatje krahu është manxerri. Herë pas here i dërgon sytë e lotuar tek manxerri. Nganjëherë edhe ngrihet ashtu gjunjkëputur dhe e prek. Si të prekte duart e forta të Ylberit. Si të ndjente një përafrim të munguar me krahët e tij të fuqishëm që tash mbanin në duar një trastë me pak veshje e me pak ushqime. Ku e ka blerë Ylberi manxerrin? A ka shti ndonjëherë mbi hasmin? E sa rëndësi ka kjo? Po tash, tash ku asht Ylberi i Dadës? Në vite asnjëri nuk do ta ngrejë nga muri manxerrin. Ashtu si shpata e Odisesë së mitit. Mos vallë dhe Zana po na kthehet si një Penelopë shqiptare. Ajo që ndoshta edhe një shkronjë nuk ka lexuar në jetë nuk ka dëgjuar për të . Edhe se është shumë më e fortë se Penelopa mbretëreshë. Vazhdon të thurë heshtazi, të “shkruajë” çorap natën e ditën. Me sytë nga ai livadh kur e përcolli për herë të fundit dhe pikën e lotit nuk e nxori për t’ia lënë netëve, ditëve, jastëkut, arës, grurit, qengjit që ka lindur në mal, ia ka lënë ugarit ku ka hedhur një farë misri. Magjes ku ka gatuar bukën. Shih se si thotë poeti popullor më i mençur se autorët e dhjetëra vëllimeve poetike, qoftë edhe të përkthyera në botën e madhe. Nuk thotë thur por “shkruj” Si mund të shkruhen fijet e holla të leshit në një çorape, në një triko? E nëse do të shkruante një kartë kjo Zanë, kujt dhe si do ia dërgonte? Ku ishte adresa e Trimit/ brenda një dekori shtetesh, qiejsh, detesh, malesh është një gjeografi ulëritëse, shekspiriane. Askush nuk i dëgjon e kjo është piskama më e madhe që të vjen në vargjet e saj në tingujt e saj. Një piskamë që bashkohet me mallkimin e madh. Në të është një lumë i stërmadh lotësh të fshehur, të gurgullimtë O ylber i Dadës-o A thue më ke harru Vitet e gyrbetit Qofshin të mallku Kënga ka një fabul të thjeshtë shumë të thjeshtë. Motivin e Ndarjes . Të një ndarjeje kurbeti sikur shkon në një burg që nuk e di se cfarë dënimi ke marrë. Është një thyerje e traditës së ndarjes . në momentin e fundit të ikjes, nuk është nëna. Ajo ka mbetur në shtëpi, ndoshta edhe me sytë nga dritarja e ngushtë, bash si një frëngji. Apo mbase te oborri me një dorë të ngritur lart, lart . Pas dialogut me harxhet, me shtizat, me manxerrin, vjen një dialog tjetër, ai me vjehrrën. Të dyja vuajnë në mënyrën e tyre. Fort sa as loti i derdhur fshehurazi nga njëra-tjetra nuk e qetëson dot. E kënga ecën, ecën. Të tjera çorape thur ajo Se shkon viti pare, oj zanë, porsi dita sot. Të duket se është një refren i hidhur edhe sot e kësaj dite. Vjen ajo pyetje klithëse O Ylber i Dadës – a thu m’ke harru? Lëçitës, vini në kujtesë këta këngëtarë: Liri Rasha, Vera Laçi, Lindita Hakaj, Veton Elshani e Ali Vetimi, Sanije Limani, Asim Gashi, trioja Vesa, Tuna, Teuta, Rabije Dërvishi, Elim, Xhemole e Flamur Kelmendi, Edi Furra, Rabije Kika, Lule Mustafa, Kumrije Buqaj, Artan Bakiaj, Violeta Zefi, Egzona dhe Florimi, Fatmir Kryeziu, Enes Seferi, Merita Gashi, Mejreme Kurti, motrat Mustafa, Selvije Marteti, Gentiana Kqina, Albina Bekteshi, Elina Duni, Lumturie Axhami, Nazmije Gashi, trioja Gone, Nada, Gjyla. Ilira Ismaili. Janë të gjithë këta që kanë kënduar këngën “Kur përcolla ylberin”. Shumica prej tyre janë gra, vajza. Dhe nuk është rastësi. Mbase duan që të sjellin më pranë dhimbjen e kurbetit. Askush nuk ia ka detyruar këtë repertor. Dhe në aktivitete të gëzuara jo gjithmonë kjo këngë është e pranishme. Si të thuash nuk e “mund” dot tallavanë që të ngre nga karrigia e ti nxiton të hedhësh eurot e dollarët e xhepit, t’i fluturosh ato në kokën e nuses e të dhëndrit. A thua se “ turpërohet“ para këngëve të tallavasë? Nuk dua të flas sot për të. Jo, kjo këngë të ngrijnë në karrige, sado luksoze që të jetë. Sado lule dhe pjata të mbushura të ketë pranë teje. Sado kostume të bukura e fustane me ngjyra të ndezura të kesh në trup. Dridhesh. Loton së brendshmi. Mbase edhe kafshata të ngec një çast se të gjithë kemi një Ylber në shtëpi e larg saj, të gjithë jemi dhe kemi një Dadë të tillë një Zanë kurbeti në shtëpitë tona, në tryezat tonë ose atje ku ka shumë drita, shumë makina, shumë para, shumë banka, shumë buste, por edhe shumë këngë kurbeti. Shikoni instrumentet muzikorë që e kanë shoqëruar këtë këngë, këta këngëtarë! Mbizotëron fyelli. Futet violina, kitara, klarineta, futet tupani. Telat e çiftelisë dhe curle mbase kanë qenë veglat e para kur është kënduar. Me piano e shoqëron Elina Duni në Gjermani këtë këngë. Shumë herë orkestrinat popullore në të gjithë trevat, sidomos në Kosovë kanë një lloj “provimi” kur e marrin këngën si gjini muzikore orkestrale, qoftë edhe vetëm me një vegël si bën Fatmir Kryeziu me fizarmonikë. Këngët janë kënduar kryesisht në këto 6 vitet e fundit. Është një temë që jo vetëm në kohët e shkuara, por edhe në kohët moderne mbetet një plagë ku kënga ngjyen vargun, tingullin, pse jo dhe lotin e nxehtë. .Përcjellim netëve, ditëve me bileta kthyese, ose edhe një drejtimshe. Ylberet e Dadat e kohëve moderne drejt qiejve, metrove. Mbushim dingas makinat e reja të markave të ndryshme përherë e më të reja drejt autostradave të vendeve të huaja. Presim diku nën një shi vjeshtor a në një ditë dimri, të mbuluar me një shall dhe me e çorape leshi të blerë në supermarketet e shumta të botës ku pas tyre na japin dhe letrat e vogla me shifrat e eurove dhe dollarëve që kemi paguar për to. Prekim e hapim pakot me dhurata celularësh, lodra fëmijësh të çuditshme për sytë e fëmijëve të nipërve dhe mbesave, fustane fëmijësh, pelena për të porsalindur. Rroba të ngrohta për gjyshërit që na presin e na përcjellin me lotë në sy. Lule për të afërmit që shpesh janë varrosur pa thërrimet e dheut tonë në mollëzat e lodhura nga vitet,. Por prapë tek dëgjojmë këtë këngë “Kur përcolla Ylberin” edhe pa dëshirën tonë, ngjitemi në krahët e trishtimit. Mbase atë çast kuptojmë se zëri i tokës që na ka lindur ne, prindërit e gjyshërit tanë, është shumë më i shtrenjtë se ajo që kemi fituar në kurbetin e largët me djersë. Boston, 30 nëntor 2017 Kur të vesh xhamadanin vija-vija.. Përsiatje mbi këngën “Xhamadani vija-vija Përmes fushës së Korabit Motiv dibran N’ato maja, te Korabi M’u hap syri, m’u rrit shtati. E preka Korabin rudinë më rudinë Me këmbë, me gjunjë e me shpirt. Me sy nga gazi lotuar dhe me duar Me zemrën e pëllumbuar. Me vargje në këngën e florinjtë Me ballin vesuar e me gishtërinjtë. E s’pyeta për çmimet e kripura Që vënë tregtarët në listat te kuzhina Që vënë në xhama, ndër vetrina. Që vënë në reklama interneti Që vënë në lokale buzë deti. Kisha mallin prijatar Kisha malin habertar, Kisha këngën krushkë të parë Kisha kuajt lodërtarë, Kisha fyejt si krua buze. Kisha stanet përmbi supe, Kisha fjalën mjaltë livadhi, Isha bërë si flamurtari. Kisha krojet me ujë mbreti, Kisha qiellin hark ylberi Kisha barin si shtrojerë, Kisha gurët si kështjellë, Me barinjtë stan më stan, Kisha yjet karvanarë. Me një peng që dëbon vdekje, Me një këmbë ku putra s’jepet, Me një mall që shuan etje. Gojë më gojë ç’i munda gurra Si një zjarr që flakon furra. Mbi një majë ku gjethon ahu. “ O moj Fusha e Korabit Pse na erdhe hakut?” Nga Namik SELMANI, poet, studiues

Teksti :: Song Lyrics

O Ylberi i dades o
A thu m'ke harru
Vitet e gurbetit Ylber
Qofshin te mallku

Kur e percolla Ylberin
Ktheva hyna n'ode
Kur ja pash manxerrin vjerro
Ja lava me lot

Mos e laj me lot oj zano
Mos e laj me lot
Se shkon viti par oj zano
Por si dita sot x2

Shkuen vite shkuen vite
Zemra mu dogj flak
S'na lan halle s'na lan derte
Me jetue bashk

Vitet e gurbetit Ylber
Qofshin te mallku
Ndau nan e bir o Ylber
Ndau burr e gru x2

Morra harxhe dola n'bahçe
Çorapin me ç'thurr
Prej merzis o mbi çorape
Plasa tuj lotu

O Ylberi i dades o
A thu m'ke harru
Vitet e gurbetit Ylber
Qofshin te mallku x2
Komente 0