TEKSTESHQIP
Biografia
AUTOBIOGRAFI:
Jam nga qyteti i bukur i Beratit, qytetit të gurtë, të dritareve të shumta, të dashuruar marrëzisht me këngën. Qytet i njohur që në lashtësi si vend i qytetëruar, ku bota e sotme i kthen sytë me kureshtje, respekt, habi. Pra, ky qytet më fali zërin. Jam aktivizuar me Shtëpinë e Pionierit që ishte në ato vite. Kam punuar në Estradën Profesioniste të Beratit. Kam mbaruar shkollën e mesme për zootekni-veterineri. Pastaj fitova të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve. Jeta ime në qytetin e Beratit është mbushur me aktivitete dhe mbresa të pashlyeshme. Është një qytet me tradita, ku në çdo kohë mëson diçka të re. Për këtë qytet janë thurur dhe thuren legjenda dhe nga zemra e tij kanë dalë intelektualë potencialë. Vetëm të ngrihesh në mëngjes dhe të shohësh madhështinë e kalasë, merr me vete besim, forcë, dëshirë për të jetuar, emocion që të relakson. Mbarova Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1984. Pra atë vit mora diplomën. U punësova në Ansamblin e Shtetit në vitin 1985, ku këndoja dhe më parë. Në atë kohë, në Ansambël ishin këngëtarë shumë të njohur dhe që ende dhe sot janë potentë si Irma Libohova, Ema Qazimi, Luan Zhegu e të tjerë dhe aktorë si Vasillaq Vangjeli. Pra mes këngëtarëve dhe artistëve të tillë potentë kishe se çfarë të merrje dhe çfarë eksperiencash të shkëmbeje. Në festivalin e 15-të në Radio Televizion zë fill rrugëtimi im në skenën më të bukur, atë të festivaleve më prestigjioze por dhe më ankthndjellëse. Ishte momenti më i veçantë në jetën skenike. Aty vuloset e ardhmja e çdo këngëtari. Në skena të tilla prestigjioze duhet të jesh dinjitoz. Dështimi në raste të tilla t'i heq shanset për të ardhmen. Është shumë e vështirë të ngjitesh sërishmi aty ku ke humbur radhën e parë. Fati dhe zëri ishin me mua. Zëri atë ditë nuk më tradhëtoi. Ai doli i plotë me gjithë madhështinë e tij. Gjoksi sa s'po më dilte nga vendi. Ishte moment që e kujtoj gjithmonë me nostalgji. Isha shumë i ri.

DËRGOI: