TEKSTESHQIP
Biografia
Myslym Lela përfaqëson një përzierje të çmueshme dhe dinjitoze që e dallon atë jo vetëm ndërmjet bashkëkohësve te tij, mes të cilëve ai nuk ka të barabartë, por e shquan atë edhe kronologjikisht si një muzikthar të përmasave të mëdha e që ka lenë emër në rrjedhën e folklorin shqiptar në vite. Lela është padyshim një gjigant i bindshëm i tingullit popullor shqiptar. Ai paraqet një amalgamë të mrekullueshme të krijimtarisë, interpretimit, talentit natyror, instumentalistit, folkloristit, e vokalistit, e shumë cilësive të tjera që rrallë herë rastis ti shohësh të përqendruara tek një njeri i vetëm.

Një shpjegim i pjesshëm për gjithë këtë përzierje fatlume mund të jetë fakti se Lela vjen nga një familje me trashëgimi të pasur muzikore, dhe se brenda tij ka diçka gjenetike që inkurajon shpalosjen e këtij talenti. – Fatkeqësisht është e pamundur që të gjenden shënime bibliografike për familjen, kështu për këtë, e arsyen se kujtesa është shpesh mashtruese, qortimet ndaj vërtetësisë se këtyre rreshtave janë gjithmonë të mirëpritura.

Lela është vetëm një nga vëllezërit e shquar në muzikë; vëllai tjetër Remziu një nga klarinetistët më të mirë shqiptarë, gjithashtu Fatmiri, vëllai tjetër që shoqëron shpesh Myslymin në albumet e shumta, është mjeshtri i llautës apo bullgarisë. Fatmiri në fillim të viteve 90 çel dyqanin e famshëm të veglave muzikore të punuara me dorë tek Xhamia e Vjetër, një arsye me tepër pse veglat e Lelave janë të akorduara kaq mirë e tingëllojnë kaq ndryshe. Arsen Lela, djali (i emëruar pas garipit të famshëm frëng Arsene Lupin), vazhdon gjithashtu në gjurmët e të atit. E lista vazhdon edhe më e gjatë...

Përveç këtij bagazhi te vyer Lela i duhet ti përmbahet edhe folklorit të vjetër shqiptar dhe ndërmerr një nga rolet më të hershme të tij; atë te rrëfyesit. Ç’na bën për vete me këngët e tij është shume herë kuptimi që ato kërkojnë të përcjellin. Pjesë e një tradite të bukur ato janë një mjet përçimi dijesh dhe urtie popullore. Përmes tyre dituria e moçme e grumbulluar transportohet dëgjuesve ne një udhëtim mbresëlënës mes muzikës. Në to Lela, sikurse Omar Khayyam, parashtron një filozofi të thjeshtë dhe e të pamohueshme. Ai i këndon të vërtetave absolute të kësaj bote; njeriu plaket, bukuria tretet, lulet vyshken, dashuria mbaron, njeriu përfundimisht largohet nga kjo jetë. Kjo veçori i jep interpretimeve dhe krijimtarisë së tij një përmasë jashtëkohore. Në një nga krijimet të tij të fundit Lela arrin ti vejë gishtin edhe vetë vdekjes së tij të pashmangshme. Në traditën e misticizmit islamik ai dëfton dëshirën e tij për tu rikujtuar edhe pas vdekjes se paevitueshme nëpërmjet këngëve më të dashura të tij, të interpretuara tash prej të rinjve. Amanetit i nuk ju desh shumë kohë për tu përmbushur.

Pos përdorimit të dashur të gjuhës se vjetër Lela i hap rrugën shprehish poetike e të vjetra që pa punën e palodhshme të individëve si ai do ishin me siguri humbur. Këngët e vjetra janë të mbushura me metafora nga më të bukurat, si "Hypi kalit të bardhë pleqëni...". Referimet ndaj zogjve, ku mes tyre kumria, dallëndyshja, qyqja, bile edhe pula modeste numërojnë përmendje, qëndrojnë si vajtimi i tyre, rikujtuese të një bote të humbur.

Qasja e Myslymit kundrejt këtij thesari është për tu admiruar. Variantet origjinalë të Napolonit, Çiftatelit, Malenakes, Pipëzave, e shumë valle të tjera që luhen në çdo dasmë shqiptare na kane arritur deri më sot në sajë të njerëzve si Lela, që mundën pas një kohe të gjatë ndalese të ringjallin e ripërtërininë këtë traditë të mrekullueshme.

Superlativat me një anë, nuk mund të rrimë pa përmendur vetinë më të rrallë të Lelës, aftësinë e tij zanore. Lela arrin nota të larta të pabesueshme, që po të ishin matur ka mundësi të renditeshin afër diapazonit 6 oktavësh të Nusrat Fateh Ali Khani-t. Ç’është më e habitshme, ai vazhdon të këndojë këngë vokalisht të vështira për periudha relativisht të gjata, edhe në moshe të thyer. Aftësia e tij për të mbajtur një melodi në një moshë më të re duhet të ketë qenë e rrallë. Është fatkeqësi që na është mohuar kjo kënaqësi. Myslym Lela, duke përdorur një shprehje te Shqipërisë se Mesme, - e kap në tel të hollë.

Kjo larmi vokale bie më në sy ne krijimet/interpretimet e mbrame të Lelës ku ai me të vërtetë shfaq gamën e tij zanore. Të paktë duhet të jenë ata shqiptarë nuk e kanë dëgjuar këngën e famshme të Ristanes. E kthyer tashme në një himn, dashuria tragjike mes Xhemalit dhe Ristanës, ku kjo e fundit tundohet mes dilemës së kahershme të dashurisë e kamjes, u përjetësuar në këngë nga Lela. (Për ato skeptikë në mes tonë, dashuria e Xhemalit dhe Ristanes është një ngjarje e vërtetë në Tirane, Xhemali ishte i pari ti këndonte plagosjes së zemrës se tij nga Ristana, ndërsa kjo e fundit ka jetuar deri vonë në mëhallën time aftër ish-bonifikimit, mbrapa legatës Kineze.)

Përtej talentit e përvojës ka diçka edhe më misterioze në krijimtarinë e Lelës që prek telat e zëmrës të shumë njerëzve. Në qofte se do të përfytyronim këngëtarin popullor në qendër të dy rretheve, të vetvetes dhe të publikut, Lela i tejkalon të dy kufijtë me lehtësinë më të madhe e zgjatet të na prekë ne duke shpërfillur të gjitha pengesat. Kënga e tij mund të kapet jo vetëm nga një shqisë, e padyshim kjo është një aftësi e tija për tu zhytur fund e krye ne folklorin e shkuar e të tashëm e për ta paraqitur atë ashtu siç duhet, për kënaqësinë e ne të gjithëve.