>
BIOSHQIP
Biografia
Naime Beqiraj, lindi e profilizuar për t`i kultivuar dhe vargëzuar fjalët e shkruara, të mbushura përplot qëndizma figurash që sintetizojnë bërthamën e betejave nëpër kohë për t`i dhënë kuptim artistik deri në lartësitë më bardhoshe të krijimtarisë poetike. E tërë kjo mrekulli e Naimes në vetvete ngërthen një vëllim të rrallë e të lakmueshëm ku frymon metafora e fjalës e mbështjellë me dashurinë dhe intimen të mbështetur në ndjenja, disponimin e gëzuar, të ngrysur dhe në disponimin e përzier, siç janë ngjyrat e jetës sonë… Në të tri librat me poezi: “Mbi Sparunt” (1990), “Maket Kosove” (2000) dhe “Njomja e fikut” (2009), poetesha mbështetet në një realitet të konkretizuar që e përfill me instiktin e brendshëm, e mvesh me ngjyrime poetike të një spektri të gjërë i cili shpërthen nga dinamika e përditshmërisë, gjallimit dhe forcës së të vërtetës për ta mbijetuar të keqen dhe për t`i përqafuar kujtimet dhe mirësitë e njeriut të saj. Në këtë kuptim, qasjet poetike në veprat e Naime Beqirajt, na japin jo vetëm një poete të spikatur në panoramën kulturore të Kosovës, por edhe më gjerë duke u përfshirë në një numër të konsiderueshëm të antologjive të poezisë shqipe si dhe në disa antologji botërore të poezisë, duke u shpërfaqur pra kjo botë me poetikën bashkëkohore, e cila në vetvete përmban edhe frymën narrative me kuptimin e saj lucid, e që në fakt poezitë e saja na vijnë edhe si këngë të bukura ngushëllimi. Në këtë kontekst, kuptimet e imazheve të jetës, së bashku me shprehjen, të farkëtuar në brendinë e shpirtit të prushtë, të shkrirë nga dhembja dhe dashuria hujnore së bashku me romancën e lojës së hënës deri në bardhësitë e fjetura në sytë e këngës së agut dhe mugëtirën e derdhur mbi majat e Alpeve Shqiptare, poetesha Naime, në dritë hëne qëndisë vargjet e argjenduara për të na dhuruar dromcat e një jete duke e sëndezuar në trajtë konkrete deri te himnizimet e këngëve tona, për të bukurën e humbur dhe në kërkim të saj…
Edhe nokturno poetike e Naimes, tashmë e arrirë dhe e pjekur si një kokërr fiku; e lakmuar për ëmbëlsitë poetike. dhe lojën e saj të gatuar me fjalë e lot, na bëjnë të kuptojmë etjen e artistes për poezinë, e cila nuk fle pa shkëlqimin e hënës dhe fjalën e namatisur me aromën e nënës, për të na dhuruar ëmbëlsinë e gjumit nën kubenë e qiellit mbi Ilirikum së bashku me vargjet poetike me tërë ngrohtësinë e tyre duke na rrëmbyer me tërë qenien dhe njerzillëkun e saj prej një artisteje dhe njeriu të dashur plot miqësi në të…
Më në fund, mund të themi se shumë poezi të N. Beqirajt u shndërruan në këngë të kënduara nga shumë interpretues të këngës së bukur shqipe të cilat i dëgjojmë me ëndje dhe kënaqësi të veçantë.
Poetja jonë u lind në Pejë, në Prishtinë ka mbaruar Letërsinë Shqipe, ndërkaq studimet e magjistraturës në lëmin e publicistikës shqiptare. Ka punuar publiciste e kulturës në disa mediume të shkruara shqipe, ndërkaq nga viti 2009 është zgjedhur anëtare e Këshillit Drejtues të RTK-së.