>
LETERSISHQIP

Hajt Pra!…

Hajt pra u nis me ardhë te na
edhe nji andërr,
dielli i rrxon rrezet përgjysë,
në gjysë të udhës nji perde qielli
u kthye e ra përmbys…
Hajt pra!…
Në anën tjetër rrin e djeshmja,
me ne takohet te nji urë,
po të ketë dritë në bregun tjetër,
ai kapërcim
na ngjan si aventurë.
Hajt pra u nis me ardhë te na
edhe nji andërr,
e na iu kthyem me fytyrë,
na bie në sy nji rreze dielli,
na nji amshim,
mbramjes ia falim me dëshirë.
Hajt pra u nis me ardhë te na
edhe nji mbramje!