>
BIOSHQIP
Biografia
SABRIE SELIMAJ - PROFILIZIM NË PËRMBLEDHJE POETIKE

E lindur ne fshatin Valbone Tropoje dhe banuese ne Qytetin e Fierit.

-Mbarshtrimi i mjeteve shprehëse, orientimi stilistik i ligjërimit, spontaniteti krijues, veçantitë në aftësitë komunikuese të poetikës, pikëzimi i realitetit jetësor në realitetin artistik, karakteristikat që specifikojnë mënyrën e të shprehurit të ndjenjave, transformimet rapide dhe të vazhdimësisë në varësi të kërkesës së çastit poetik, janë konturat e përgjithëshme, të cilat skicojnë profilin poetik të Sabrie Selimajt. Në shumësinë e krijimtarisë së saj defilojnë tituj e motive nga më të ndryshmet, është një mozaik i motivimeve të cilat frymëzojnë poeten për t`i pasqyruar, për t`i përshkruar, gjithnjë të ingranuara brënda botës ndjenjore të saj dhe në përshtatshmëri të frymëzimit që rrjedh në këtë vazhdë. Në këtë shtrirje reflektohet jeta, jo vetëm si nocion por edhe si kuptimësi, në gjithë kompleksitetin e saj; përjetimet e përpunuara artistikisht, ndijimet e kultivuara në vargun poetik, pasuria e imagjinatës krijuese, sidomos aftësia e akomodimit të dukurive dhe fenomeneve brënda pikturimit të poezisë, ngjyrimi i vargut nga “akuarelet” e shpirtit…

- Ideotematika që përshkon poezinë e Sabries gjenë shtrirje gjithandej shpërfaqjeve të realitetit faktik dhe, si e tillë bartet në reflektimet e titulluara dhe të strukturuara, të cilat rrjedhin në vazhdimësinë permanente, duke mbushur bagazhin krijues, i cili ka kapacitetin për kompletimin e përmbledhjes poetike. Ky kuantitet qëndron në raporte harmonie me kualitetin, qëndron në raporte simetrie me ravijëzimin e përgjithshëm të artit poetik dhe paraqet një storie suksesi në krijimtarinë letrare në arealin e poetikës. Si e tillë poezia e Sabries, potencialisht synon pozicione të konsoliduara, duke ofruar gjithanshmërinë perceptuese, elementet që e shquajnë atë, ndërthurjen e figuracionit në stolisjen e strofës dhe formatit poetik, lehtësinë komunikuese me lexuesin, thjeshtësinë dhe koncizitetin e shprehjes.

- Bazuar në këto veçori, përmbledhjeje me poezi e Sabries ngërthen brënda vetes disa titullime të diferencuara për nga aspekti i përmbajtjes, i motivit, mënyra e shtjellimit apo trajtimi temor, duke ravijëzuar, kështu aspektet e jetës, formacionet e ndjesive, përvijimet imagjinare apo dimensionet tjera që karakterizojnë qenësinë e realiteteve të poetizuara; dashuria, si gjendje shpirtërore dhe si përjetim real dominon zakonshëm në morinë e motiveve që shtytin poeten, rrjedhimet e saj, ngazëllimi e zhgënjimi si pjesë të saj; ëndërrimi real apo i paragjykuar përfaqëson një botë komplekse, të cilën mund ta pasqyrojë vetëm poezia ( vetëm vargu poetik ka kapacitetin për ta pikturuar atë me ngyrat adekuate); gjendja emocionale, oscilimet brënda saj, ndijimet shpirtërore që kanalizojnë raportin e ndjenjave ndaj jetës dhe ndikimeve në këtë brendësi, here-herë në nyanca skajshmërie, në shpërthime të vrullshme, të cilat i japin dinamikën e veçantë gjerësisë poetike, duke orientuar fokusimin e vëmendjes së lexuesit, tërheqjen e tij në përjetimin e këtij vrulli; mallëngjimi, për njeriun, për rrezen e diellit, për feksjen e aurorës apo ndriçmin e hënës, dallgët e detit apo valëzimin e lehtë si paqtues të shpirtit, malli për ngrohtësinë e munguar, për çiltërsinë e bjerrur, për virtytin e zbehur; atdhedashuria si veti e lindur, si formim i personalitetit dhe edukatës së ngulitur, si ndjesi sublime.

- Strukturimi i poetizimeve brënda përmbledhjes ndjek një linjë të caktuar sintetizon një rezon përfaqësues, të detajuar në këtë strukturë, në definime motivesh e shtytjesh; krijimet me sfond përkushtimi për të përgjithshmen, për veçoritë dhe karakteristikat që përkufizojnë aktualen dhe ambiciet, njëkohësisht; atë që pasqyron jetën brënda rrjedhave të kohës, dukuritë sociale, zhvillimet shoqërore, sjelljet individuale, vetitë e karakterit, të cilat prodhojnë pasoja vrragëlënëse në jetën shoqërore; atë që përfaqëson ndjenjat e thellësisë shpirtërore, tejkalimi koshient i vetvetes në synimin e sendërtimit të kësaj ndjenje; atë të kohështrirjes poetike të refleksionit, të abstraksionit në mënyrë specifike, ndërtimin lirik të tij, figurëzimin e peisazhit, animimin e natyrës dhe fenomeneve dalluese, personifikimin e tyre, metaforizimin, simbolizimin, krahasimin, të cilat pastaj ngjyrojnë ndjenjën dhe përkufizojnë imagjinatën si domosdoshmëri në sajimet poetike. Pastaj, ajo që pasqyron jetën brëndja rrjedhës së kohës, dukuritë sociale, zhvillimet shoqërore, shkak-pasojat e këtyre zhvillimeve, karakteristikat grupore që interferojnë në kahëzimin e rrjedhave dhe dukuritë tjera dominante, pikturojnë poezinë sociale të Sabries, e cila përcjellë oscilimet e diagramit të karakteristikave të përgjithshme të rrjedhimeve në përditësi, ofron koloritin e përshkrimit të dukurive në vargënimin adapt me vrojtimin e jetës, veprimit dhe reagimit të shfaqjeve dhe të përballjes. Poetja sfidon në mënyrën e saj, shpërfillë tendencat për strukturime devijante të karakterit shoqëror përmes demarshit shpirtëror. Sepse konstruktimi stilistik i krijimit letrar, veçanërisht poezisë është i pamundur pa involvimin e figurave stilistike brënda vargut, strofës apo tërësisë. Në poezinë e Sabries, figuracioni zë vendin e duhur; figurat stilistike krijojnë distancimin e nevojshëm nga shprehja e rutinës jetësore dhe i japin poezisë përfytyrimin artistik, të shëndërruar. Llojshmëria e figurave rrjedh në varësi të motivimit frymëzues dhe trajtimit të brumit poetik; personifikimi i hënës, zemrës, lotit; simboli që identifikon prezencën e dukurisë së caktuar brënda vargut a strofës; metafora, si tranferues kuptimi, alegoria, veçantitë stilistike që shpërfaqin ritmin dhe figura tjera, të cilat përbëjnë aftësinë e fjalës për të krijuar kuptime të reja nga ato të zakonshmet, të domosdoshme për të përmbushur kërkesat e një tërësie stilistike. Edhe imagjinata është një fushë ku eksploron stili, gërmon sajesat e saj dhe ingranon në mekanizmat e tij (stilit) për ta formësuar një kuptimësi jo të thjesht, jo stereotipe, por një gërshetim ndjenjash e produktesh imagjinare.
- Efekte emotive, të caktuara, poezia arrinë edhe me format e intonimeve të posaçme, tingëllimin specifik të fjalës a fjalisë, harmonia ritmike e vargut apo lidhja strukturore brënda strofës a poezisë si tërësi. Prandaj themi se metrika ka një rol evident në stilet poetike, ka një rol në krijimin e ndikimeve në shijen e lexuesit. Poezia e Sabries devijon nga njëtrajtshmëria strukturore, duke ndërthurë format e përziera. Shqiptimi ritmik i botës së brëndshme shpirtërore-emocionale, tërheq vëmendjen e lexuesit në mënyrën e transmetimit të kësaj bote, në ngjyrimin e tingullit dhe në efektet që krijohen nga ky shqiptim. Sabria ofron poezinë e rimuar dhe atë pa rimë; ofron edhe një kombinim rimimi, të veçantë, duke përdorur llojet e rimes së kryqëzuar (gërshetuar). Edhe kjo është një formë tjetër që shpërfaqë individualitetit krijues të Sabries, kur konvencionalitetin e ambalazhon me veçanti shprehëse letrare, të cilat japin premisat e kategorizimit në kornizime artistike, sepse krijohet shëndërrim kualitativ i dukurisë, fenomenit a tiparit. Shprehjet gjuhësore që përshkojnë poezinë e Sabrie Selimajt shpërfaqin fondin shprehës, i cili konkretizon dhe u jep formë dhe kuptim ndjesive e sajimeve që autorja trajton në poezitë e saj.

- Aplikimi i mjeteve shprehëse latrare-artistike është bazamenti i krijimtarisë së mirfilltë, i cili përfaqëson dimensionin krijues, shtrirjen e tij përmes mënyrës dhe formës së caktuar, që i ofrohet opinionit lexues. Përceptimi i këtij realiteti pason konceptimin e mendimit dhe gjykimit përkatës, për veprën poetike që ofrohet. Mbarështrimi i këtyre mjeteve shprehëse, figurave stilistike brënda një krijimi letrar përbëjnë orientimin stilistik të një autori. Praktika e ligjërimit poetik (dhe jo vetëm poetik) mbështetet në llojshmërinë e shprehjeve letrare, të cilat përcaktojnë specifikat që karakterizojnë një mënyrë intonimi të botës së ndjeshmërive, emocioneve apo edhe reflektimeve të imagjinatës së një krijuesi.

- Poezia e Sabrie Selimajt shtrihet në një konturim stilistik që ngërthen konsistencën e shëndërrimit në ligjërim poetik të dukurive, fenomeneve a vetive të karakterit individual a grupor. Aftësia e poetizimit të këtyre shpërfaqjeve jetësore përbën bagazhin e talentit shprehës të shpërndarë në formatet poetike.

- Sabria eksploron suksesshëm këto fusha, trajton gjithanshmërisht këto motive, në gjerësi dhe thellësi, ndërton botën e saj poetike, duke përmbushur përmbajtësisht atë, duke komponuar elementet e duhura dhe të nevojshme, aspektet e shenjëzuara, për ta skalitur skulpturën e profilit të saj letrar. Ky është universi poetik i Sabrie Selimajt. Poezia e Sabries ka kapacitetin e përmbushjes së këtyre kërkesave dhe përballon lehtësisht adoptimin e këtij vëllimi në formën e përmbledhjes poetike, si editim konvencional drejt objektivit për të cilin është krijuar, drejt lexuesit të pasionuar pas artit poetik. Aspekti cilësor ofron knaqësinë e shijimit të këtij arti, duke servuar poezi të nivelit meritor, përkushtim serioz dhe investim të madh të kapitalit intelektual, të cilin e posedon autorja; Gjithanshmëria e trajtimit qëndron në themelet e krijimtarisë së Sabries, është veçantia që i jep identitetin poetik, që spikatë origjinalitetin krijues dhe kujdesin e vaçantë për të prodhuar vlera të mirfillta. Receptori ka çfar të kërkojë në profilin e Sabries; aty është një arsenal i tërë i vlerash.

Sabrie Selimaj ka profilizuar veten në fushën e letërsisë, duke na dhënë autoportretin të ngulitur në vargjet e saj, me ngjyrat e jetës; të përgjithshmes dhe individuales, me vezullimin e realitetit artistik që krijon, të realitetit që ajo e ndjen, e prek dhe e transferon në poezi; me sinqeritetin dhe modestinë që karakterizon shpirtin human të poetëve të mirfilltë. Ky përshkrim është fotografi në vija të trasha e këtij portreti, e këtij profili poetik që meriton vendin përkatës në letërsinë tonë, në hapësirën e përgjithshme të artit letrar. Suksese poetes në rrugën e artit…

Xheladin A. Çitaku – Prishtinë.