Nëse çdo ditë e më shumë punoni për ta realizuar ëndrrën e jetës suaj atëherë një ditë ajo do të bëhet realitet. Kështu fillon karriera në muzikë e këngëtares Adelina Thaçi. Ajo që nga fillimi i karrierës së saj i është përkushtuar punës deri në arritjen e qëllimit. Si fëmijë e ka dashur muzikën dhe e ka improvizuar mikrofonin me lodra. Muzika për të është pjesë e jetës. Çelësi i suksesit të saj konsiderohet kënga "Shko", e komponuar nga Alfred Kaçinari Në botën e muzikës ajo hyn në moshën 16 vjeçare, me regjistrimin në shkollën e mesme të muzikës. Ajo ka mbaruar Akademinë e Arteve për solo-këndim në Prishtinë dhe Master në Akademinë e Arteve për solo-këndim në Shkup. Njëherit është anëtare e Filharmonisë së Kosovës. Lidhur me zgjedhjen e profesionit si këngëtare ajo shprehet se ka pasur mbështetje të madhe nga prindërit. "Çdo fëmijë pa marrë parasysh se cilin profesion e zgjedh ka përkrahjen e prindërve, unë kam pasur përkrahjen morale dhe materiale nga ta por nuk duhet të harroj edhe përkrahjen e pafund që më është dhënë nga shoqëria ime". Ndërkohë, Adelina fillon bashkëpunimin me kompozitorin Alfred Kaçinari i cili komponoi këngën "Shko". "Kënga "Shko" m`i hapi shtigjet në muzikë", thotë ajo. Përgjithësisht, tekstet e këngëve të saj shkruhen nga kompozitorë të mëdhenj si: Jorgo Papinxhi, Demir Gjergji, të dy nga Shqipëria pastaj nga Memli Krasniqi, Avni Qaili etj. Ndërsa komponimet bëhen nga: Alfred Kaçinari, Naim Krasniqi, Xhevdet Gashi, Enis Presheva, etj. Kohëve të fundit, këngëtarët kosovarë, rëndësi të posaçme po i japin inçizimit të videoklipeve të cilët sipas tyre, bëjnë që një këngë të gjejë sa më shpejt vendin tek dëgjuesit dhe shikuesit. Se me kënd bashkëpunon Adelina në këtë drejtim, morëm vesh në bisedën në vazhdim. "Videoklipi i këngës "Komsi Komsa" është punuar në Shkup me mjaft përkushtim. Jam e sigurt se ka pasur mjaft sukses dhe se është pranuar shumë mirë nga shikuesit", thotë ajo. Ajo tashmë ka dalë në skenë me dy albume. Albumin e saj të parë e publikoi në moshë të re dhe tregoi kualitetet e saja si këngëtare. Albumi i dytë bazuar në kritikat dhe shitjet, ka qenë mjaft i suksesshëm. Adelina së shpejti do të del në skenë me albumin e tretë. Lidhur me albumin e tretë Adelina thotë se do të ketë ndryshime dhe përpunime të muzikës. "Adelina është ajo që ka qenë dhe e tillë mbetet mirëpo stilet përpunohen në mënyrë moderne", shprehet ajo. Adelina ka fituar disa çmime në festivalet në Kosovë dhe në Shqipëri. Çmimin e saj të parë e fitoi në "Festivalin e Radiotelevizionit shqiptar" në Shqipëri me ç'rast u shpall debutantja më e mirë, në Festivalin "Kosovarja këndon" është shpërblyer me vendin e dytë kurse vitin e kaluar në "Showfest" është shpërblyer me çmimin e parë. Se çka mendon për vlerën dhe antivlerën në muzikën kosovare, Adelina thotë se kudo në botë nëse e merr një element nga një muzikë tjetër orientale atëherë je duke kultivuar muzikë të ndryshme. Mirëpo: "nëse merr skeletin e një muzike të huaj dhe të thuash që e ke punuar vet, atëherë kjo është antivlerë". Edhe pse gjen shumë pak kohë të lirë Adelina lexon libra, shikon filma por si hobi ka Fitness-in (ushtrime trupore). Në fund të bisedës sonë, ajo i përshëndet të gjithë lexuesit e revistës "For You" dhe jep një porosi për të rinjt që të punojnë sa më shumë në mënyrë që të arrijnë suksese në çdo aspekt të jetës së tyre. "Unë me punë dhe mund kam arritur t`i realizojë synimet e mia", thotë ajo.
Çmime dhe mirënjohje:
-Çmimi i Parë në Kategorinë 4 të festivalit "Bruna Spiler" në Herceg Novi, 2008
-Projekti "Dolce Suono" duet me tenorin e famshëm Hose Carreras
-Mirënjohje "Koncerti i Lirisë" - 1999
-Çmimi "Këngëtarja më e popullarizuar për vitin 2003", dhënë nga revista "Miss" 2004
PASAPORTA:
Kombësia: Shqiptare
Gajtësia: 1.64m
Pesha: 50kg
Ngjyra e syve: Ngjyrë kafe
Ngjyra e flokëve: Gështenje
Ushqimi i preferuar: Pastat italiane
Muzika e preferuar: Muzikë klasike dhe pop soul
Këngëtari i preferuar: Whitney Houston
Artisti- ja më i/e preferuar: Brad Pit
Filmi më i preferuar: The godfather
Profesioni: Këngëtare
Hobi: Muzika dhe fitnesi