(1949-2021)
Biografia
Një pjesë të fëmijërisë e kam kaluar në fshat, periudhë të cilën e kujtoj me nostalgji. Fshati më mungon shumë dhe jeta në qytet më duket shumë e mërzitshme. Këtu do të flas për fëmijërinë time dhe ju keni rast të dini më shumë për mua. Kam lindur në Llapushnik të Drenicës. Babai Rrustemi dhe nëna Habibja na kanë marue tre djem e dy vajza. Nënës sime i kanë vdekur 5 fëmijë, kur ishin shumë të vegjël - për njërin që i ka vdekë jam gëzuar, se po të ishte ai, unë sot nuk do të isha fare! Deri në moshën nëntë vjeçare kam jetuar në Vukovc edhe jam shkolluar në Komoran. Aty kam luajtur pit pidak, kliqka, guxhaz, fsheftas dhe jam larë në lumin Drenicë! Poashtu i kam ruajtur 'bullicat', lopët, delet etj. Në fëmijëri kam qenë shumë i gëzuar, derisa nuk erdhëm në Prishtinë! Më mungonte natyra, lumi, oda, çaji, bullicat, të gjitha sepse në qytet filloi dinamizmi dhe jeta u vështirësua! U deshtë ta lë shkollën në Komoran (filloren) dhe të vazhdojë në Prishtinë. Pasi e kreva filloren u regjistrova në shkollën e mesme të teknikës dega - ndërtimtari, por nuk e doja sepse në matematikë e kisha (1).
E kreva disi shkollën e mesme. Me dëshirën e babait, u regjistrova në fakultet të Ndërtimtarisë. Por isha edhe futbollist dhe të dyjat nuk shkonin, prandaj u deshtë të konkuroj në Fakultetin e Kulturës Fizike, pa e ditur baba. Edhe e kreva me sukses sepse isha talent në këtë lëmi (fiskullturë). Baba mendonte se jam bërë inxhinier i ndërtimtarisë. Kur i thashë se jam bërë inxhinier i fiskullturës, ai më tha: "inxhinier i dreqit"! Gjatë viteve 1980-1998 isha mësimdhënës dhe në të njëjtën kohë luaja edhe futboll! Po atëherë fillova edhe humorin në Radiotelevizionin e Prishtinës me 'Treshin Përsheshin'. Momentet më të mira të jetës sime i kam kaluar me Lecin dhe Qumilin! Ato ishin vitet e paharruara! Në të njëjtën kohë filluan edhe kasetat, gjë që ishin edhe shkaktarë të ndarjes së 'Treshit'. Por ndarja jonë ishte 'ndarje sportive', pa u hidhëruar njëri me tjetrin. Kështu unë dhe Leci filluam të gjironim me regji të Agim Sopit. Kështu edhe unë u dëshmova si skenarist, duke i gjiruar 2 kaseta që sipas disa 'kasetagjive' ishin të mira. Pra edhe unë u dëshmova si skenarist ose regjisor, por pa diplomë!
Unë e kam grua Shukrijen, që e dua shumë. Ajo më ka ndihmuar shumë që unë të jem Cimë! Bija ime është Adelina, djemtë janë: Burimi dhe Artani! Për Adelinën e dini edhe vet, e ka kryer akademinë e solo këndimit, Burimi është duke studjuar në Tetovë, në Universitetin e 'Shtulit' shkencat kompjuterike, ndërsa Artani është në shkollën e mesme dhe është futbollist i mirë. Artani më ka ngjarë mua. E kam edhe një qen, por atij t'i thuash qen është gjynah sepse e ka emrin Pino dhe është më i mençur se disa njerëz. Prandaj për fund: Kur bie në gjumë, më kujtohet Drenica, lumi, 'bullicat', delet, lopët, lojërat e ndryshme. Më mungojnë sepse ky modernizëm i egër dhe i shpejtë nuk më pëlqen. Iu don R.Thaçi - Cima!
Vdiq në moshën 70-vjeçare, pasi për disa ditë, ishte i shtruar në Klinikën Infektive ku po trajtohej për COVID-19. Në postimin e fundit të aktorit të humorit në Facebook, para pesë ditësh, ai shkroi se gjendja e tij ishte rënduar. Në faqen zyrtare të tij, familjarët kanë konfirmuar vdekjen dhe ngushëllime kanë shprehur akterë të shumtë publikë. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka quajtur vdekjen e Cimës si humbje të madhe jo veç për familjen e tij. "Kultura dhe arti shqiptar ka humbur njërin ndër yjet e tij më të mëdha. Me talentin e tij depërtoi thellë në kujtesën tonë. Me përkushtimin e tij të pashoq, arriti të krijojë aq shumë role sa nuk mund të numërohen dot. Ai ka qenë një model i një artisti i cili është një shkollë dhe frymëzim për artistët tjerë. Ai veproi dhe nuk u ndal edhe në kohët më të vështira nëpër të cilët kaloi populli shqiptar i Kosovës, duke treguar dashurinë që kishte ai për popullin e tij dhe guximin për idealet tona. Rasim Thaçi la pas vetës një korpus të madh të krijimtarisë dhe kjo do të mbetet një gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë. Ne do ta kujtomë me pietet veprën dhe krijimtarinë e tij", ka shkruar ai në telegramin e ngushëllimit.
Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka thënë se sot "Kosova u varfërua, mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime". "Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës, ishte shpresë për ditë më të mira! Ai na bëri të qeshim gjithë jetën e tij. Ne sot jemi të pikëlluar, sepse ikja e Cimës do ta lë një zbrazëtirë të madhe. Por, ne do ta kujtojmë përherë me mall humorin e tij!" ka deklaruar ajo.