(1903-1975)
Biografia
Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes B. Omarit, S. Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela më 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-'33), ku mes të tjerëve do t'iu jepte mësim P. Markos dhe L. Radit gjegjësisht nëpër qytetet e përmendura. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta - siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike - kujtime të cilat do t'i shkruante mbas '70 me pseudonimin "Hilushi". Ndërkohë miku i tij M. Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924. Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-'36 ishte pjesëtar i grupit botues të të përkohshmes "Illyria" të I. Totos ku do të botonte poemthin në prozë Quattuor. Në po të njëjtën të përkohshme më 1935 do të zbulohej Migjeni me vjershën "Të lindet Njeriu" me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari C. Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën "Epica popolare albanese" ("Epika popullore shqipe") falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vjetët 1939-'41.