TEKSTESHQIP

(1955-1998)

Biografia
Adem Shaban Jashari (lindur Fazli Jashari; 28 nëntor 1955 – 7 mars 1998) ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) — një ushtri shqiptare e Kosovës që luftonte për ndarjen e Kosovës nga Republika Federale e Jugosllavisë gjatë viteve 1990. Ai ishte komandant i UÇK-së në zonën operative të Drenicës.

Në 1991, Jashari mori pjesë në sulme kundër policisë serbe para se të udhëtonte për në Shqipëri për të marrë trajnim ushtarak. U arrestua në 1993, dhe u lëshua pas kërkesës së Ushtrisë Shqiptare, pas së cilës u kthye në Kosovë ku vazhdoi sulmet kundër jugosllavisë. Ai u dënua në mungesë për terrorizëm nga një gjykatë jugosllave; ky gjykim kritikua nga Human Rights Watch. Pas disa përpjekjeve pa sukses që ta kapin apo ta vrasin, policia serbe sulmoi shtëpinë e Jasharajve në Prekaz nga 5 deri më 7 mars 1998, në sulmin e tretë. Beteja që pasoi rezultoi në vdekjen e tij, bashkë me 56 anëtarë të familjes, duke përfshirë gruan dhe djalin e tij.

I njohur si "babai i UÇK-së", Jashari konsiderohet nga shqiptarët etnikë si simbol i pavarësisë së Kosovës. Ai u nderua pas vdekjes me urdhërin "Hero i Kosovës" pas shpalljes së pavarësisë në 2008. Sheshi Adem Jashari pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës dhe Stadiumi Olimpik Adem Jashari janë emërtuar në nder të tij.

Adem Jashari lindi në një familje me tradita patriotike. Ishte djali i tretë i mësuesit Shaban Jashari. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e përfundoi në qytetin e Skënderajit. Adem Jashari gjithmonë ishte i vetëdijshëm se vetëm krisma e pushkës do ta çlironte Kosovën nga okupimi serbo–sllav. Rrallëherë e shihje pa armë. Ai ishte rritur në frymën e trimërisë, heroizmit dhe atdhedashurisë, nga e cila ia kishte mbjellur heroizmin babai i tij Shabani. Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri sipas marrëveshjes së autoriteteve kosovare me Ramiz Alinë, për t'u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup luftëtarësh të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë serbë dhe duke plagosur dy të tjerë. Familjen Jashari e luftuan forcat serbo–jugosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-kuonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve të tij kundër Forcave Federale Serbo–Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharëve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbo–jugosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Adem Jashari sëbashku me shokët e tij, e thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe policisë serbe. Shtëpia e Adem Jasharit në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë serbe më 22 janar të vitit 1998. Sulmi u përballua përsëri me sukses.

Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër. Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme. Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.
Komente 0