Biografia
AUTOBIOGRAFI:
Fillimet e mija në muzikë i kam pasur që në fëmijëri. Muzika ishte gjithmonë e pranishme në familje, në veçanti babai im këndonte bukur këngët e Shqipërisë së mesme. Më kujtohet një frazë kur babai thoshte se jeta pa këngë është si një zemër që rreh dhe nuk ndjen. Kjo dashuri për muzikën u bë pjesë e imja dhe më vonë u aktivizova edhe në grupin artistik të shkollës, ku hodha dhe hapat e para në skenë. Kështu kuptova që muzika ishte më shumë se një pasion, ajo ishte një pjesë e shpirtit tim. Megjithatë kjo rrugë nuk ishte e lehtë, sepse u përballa me njerëz që u munduan të vjedhin ëndrrën time, për të më penguar në këtë rrugëtim. Për fat të mirë pata dhe njerëz që besuan tek unë, më mbështetën shumë. Këtyre njerëzve që më ndihmuan u jam mirënjohëse gjithë jetën dhe i kujtoj me respekt e dashuri të veçantë që më mbështetën plotësisht. Kënga ime e parë ka qenë në bashkëpunim me poetin e madh dhe të paharruar Jorgo Papingji dhe kompozitorin e talentuar Edmond Zhulali, një këngë që titullohet “Jeto ku fati të të çojë”. Ishte një eksperiencë e paharrueshme dhe një nisje e bukur në rrugëtimin tim artistik. Në përgjithësi unë kam një preferencë të muzikës popullore, muzikës pop, baladat dhe muzika e lehtë, por më pëlqen të eksperimentoj dhe me elementë të muzikës tradicionale. Kam realizuar një këngë popullore në një stil të ri muzikor “Lake bubulake”, që e kam kënduar me vëllain tim Hysni Hoxha, një ndërthutje mes modernes dhe traditës. Kam shkruar tekste për veten por dhe për vëllain tim, dy këngë, “Hidhe vallen” dhe “Çame moj e bukura çame”. Janë dy këngë që kanë përcjellë shumë emocion dhe janë pritur mjaft mirë nga publiku. Teksti i këngës është i drejtpërdrejtë dhe emocional për t’u lidhur menjëherë me dëgjuesin. Është një urë ndërlidhëse ndërmjet emocioneve dhe tingujve. Ndërsa poezia është më abstrakte dhe metaforike, duke e lejuar lexuesin të interpretojë thellësisht kuptimin e saj. Një ndikim tjetër është dhe ai emocional, ku një poezi ndikon vetëm nëpërmjet fjalës, ndërsa një këngë nëpërmjet fjalës dhe melodisë. Pra, një poezi mund të bëhet këngë nëse arrin të përshtatet me muzikën, por jo çdo poezi është e përshtatshme për tu kënduar. Teksti është po aq i rëndësishëm sa muzika dhe interpretimi, sepse është ura që lidh emocionet me tingujt, duke i dhënë këngës jetë. Një tekst i bukur mund të ndikojë thellësisht tek dëgjuesi dhe mund të mbahet mend gjatë në kujtesën e tij.