TEKSTESHQIP

(1948-2024)

Biografia
AUTOBIOGRAFI:
U linda nga nëna ime kolonjare me emrin Shqiponja, dhe sipas gjasave me babë miriditasin Mëhill Doçi, rreth mëngjezit të datës 9 maj 1948. Pra prindër ish-partizanë, ish-anëtarë të PPSH-së. Mbasi kreva arsimimin tem në Shkodër deri në gjimnaz (me rezultate të shkëlqyera në mësime dhe me 2 nota të thyera në sjellje), u regjistrova në Universitetin Shtetror Tiranë në Fakultetin e Inxhinierisë Dega Elektrike në të cilin Diplomën e mbrojta me Notën 10. Me 3 korrik 1971 ma dorzoi Hysni Kapo në ceremoninë e bërë enkas... etj, etj, Martohem me dëshirën teme dhe të Tanës (ime shoqe) në praninë e qindra e mijra servilave e kushurinjve me 18 korrik 1971 në Kukës (im atë asokohe ishte Kryetar i Kukësit) duke vajtur 3 orë e gjysëm me vonesë në dasmën time, sepse koincidoi që atë natë luante Pelé - ylli i botës në futboll ndeshjen e fundit! Mu duk më me rëndësi kjo ndeshje sesa dasma ime! Mbasi ndenja 10 ditë me time shoqe (dhëndër unë) na përlanë 6 muaj në ZBOR USHTARAK sepse duhej të instruktoheshim si kuadro të partisë e të shtetit për oficera (nuk ka qenë kurrë dhe as nuk jam anëtar i ndonji partie politike). Kam filluar punën në Montimet Industriale duke marrë pjesë në të gjitha objektet e rendësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë ej. etj. Pastaj mbasi "vrau vehten" Mehmet Shehu u emrova k/energjitik i Komb. Drurit "M. Mame". Në vitin 1989 falë Llambi Gegëpriftit i shpëtova arrestimit sipas nenit famëkeq 55 (ndër kohë kisha 15 anëtarë të familjes nga babaj në burg politik (4 xhaxhallarë, 8 djem xhaxhallarësh dhe 3 djem hallash). Më dërguan me 3 turrne në fabrikën e Letër - Kartonit. Pastaj në Levizjet e dhjetorit e deri 4 ditë pas vrasjes makabre kam qëndruar pranë PD-së dhe mikut tem të paharruar Azem Hajdarit. Padyshim habiten të gjithë por kam qenë i papunë - kam punuar këpucar (qepja këpucë të shqepura dhe i shisnim në trotuare, kam punuar 2 vite edhe peshkatar me djem nga Shëngjini dhe nga Vlora). Realizova sapo filloi lufta në Kosovë një Koncert Homazh së bashku me Edmond Zhulalin duke i rënë kryq e terthor Europës në 22 shtete për të mbledhur ndihma për popullin e rrezikuar në Kosovë së bashku me 8 artistë të tjerë si Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Ledina Celo, Cun Lajçi, Ilir Shaqiri, Numon Mushkolaj, Liri Lushi, Arif Vladi e Leonora Jakupi duke realizuar me tekstet e mija dhe muzikë të Zhulalit rreth 103 këngë nga të cilat "Marrshin e UCK-së". "A vritet pafajsia", "Ali Ajetit" "Adem Jasharit" "Zahir Pajazitit" etj etj. Mbeta pastaj në Zvicër, i vlersuar nga një Njeri Gjigand i kombit që është jo vetëm atdhetar i shquar por edhe biznesmen me famë botnore Behgjet Pacolli ku prej më se 5 vitesh punoj si Drejtor i Shtypit. Banoj në Lugano, ime bijë përfundon Universitetin për Shkenca Komunikative, ime shoqe si inxhiniere konstruktore është efektiv i Arkivit Teknik Shkencor.

TEKSTSHKUES:
Agim Doçi, poeti i këngëve të bukura të cilat janë kënduar ndër breza dhe do të vijojnë të këndohen u nda sot nga jeta. Në vargje përdori fjalë të zgjedhura të cilat përcollën emocionin, dashurinë dhe jetën në të gjitha dimensionet e saj. Të shoqëruara dhe me tingujt muzikorë u bënë këngët më të preferuarat për publikun. U kënduan nga këngëtarë të njohur të skenës shqiptare me të cilët fitoi dhe shumë çmime në festivale. Ndër këngëtarët me të cilët bashkëpunoi janë dhe Aurela Gaçe, Parashqevi Simaku, Leonora Jakupi, Myfarete Laze, Anjeza Shahini, kënga e së cilës shkruar nga Doçi 'Dua të jem kujtimi yt', fitoi festivalin e 41-të të RTSH-së.

EUROVIZION:
Me vargjet e këngës "Imazhi yt" dhe zërin e këngëtares së talentuar Anjeza Shahini, në vitin 2004 Shqipëria arriti të merrte renditjen më të lartë deri tani në Festivalin europian të këngës. Kënga e kënduar në anglisht, me titull "The Image Of You" u vlerësua me 106 pikë duke u pozicionuar në vendin e 7 nga 24 vende konkurruese. Agim Doçi ka shkruar edhe tekstin e një tjetër kënge pjesëmarrëse në Eurovizion, në vitin 2009, e kënduar nga Kejsi Tola me titull "Më merr në ëndërr" e renditur në natën finale në vendin e 17-të.

FESTIVALET:
Në festivalet e këngës ishte fitues i mbi 50 çmimeve, krijues i më shumë se 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivale i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot. I këndonte gëzimit, dashurisë dhe jetës Mes tyre "Nata" e Aurela Gaces, "Loçka jeme" kënduar nga Albërie Hadërgjonaj, 'Ma ke prish gjumin e natës' kënduar nga Sabri Fejzullahu dhe Ledina Çelo. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri.

KOSOVA:
Ka shkruar dhjetëra këngë patriotike dhe 100 këngë për luftën e Kosovës, ndër të cilat "A vritet pafajësia", "Ti Shqipëri më jep nder" të kënduar nga Kastriot Tusha dhe Manjola Nallbani, i "Marrshi i UCK-së" kënduar nga Arif Vladi, "A vritet pafajsia" nga Leonora Jakupi.

INXHINIER DHE POET:
I lindur më 9 maj 1948 u arsimua në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj. Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit "Misto Mame" si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990. Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.

VDEKJA:
Agim Doçi ndodhej i shtruar në QSUT prej datës 22 qershor, pasi kishte mbërritur me urgjencë me ambulancë nga Spitali Bashkiak i Pogradecit, ku pësoi hemoragji cerebrale. Ai ishte shtruar në spital në Qendrën Stroke, pasi kishte shfaqur çrregullim të të folurit dhe pamundësi në ruajtjen e ekuilibrit. Poeti mbylli sytë në moshën 76-vjeçare në reanimacionin e Shërbimit të Neurologjisë në QSUT dhe burimet nga spitali bënë me dije se Doçi u nda nga jeta më 24 qershor 2024 në mëngjes, në orën 06:00.