>
BIOSHQIP
Biografia
AUTOBIOGRAFI:
U linda nga nëna ime kolonjare me emrin Shqiponja, dhe sipas gjasave me babë miriditasin Mëhill Doçi, rreth mëngjezit të datës 9 maj 1948. Pra prindër ish-partizanë, ish-anëtarë të PPSH-së. Mbasi kreva arsimimin tem në Shkodër deri në gjimnaz (me rezultate të shkëlqyera në mësime dhe me 2 nota të thyera në sjellje), u regjistrova në Universitetin Shtetror Tiranë në Fakultetin e Inxhinierisë Dega Elektrike në të cilin Diplomën e mbrojta me Notën 10. Me 3 korrik 1971 ma dorzoi Hysni Kapo në ceremoninë e bërë enkas... etj, etj, Martohem me dëshirën teme dhe të Tanës (ime shoqe) në praninë e qindra e mijra servilave e kushurinjve me 18 korrik 1971 në Kukës (im atë asokohe ishte Kryetar i Kukësit) duke vajtur 3 orë e gjysëm me vonesë në dasmën time, sepse koincidoi që atë natë luante Pelé - ylli i botës në futboll ndeshjen e fundit! Mu duk më me rëndësi kjo ndeshje sesa dasma ime! Mbasi ndenja 10 ditë me time shoqe (dhëndër unë) na përlanë 6 muaj në ZBOR USHTARAK sepse duhej të instruktoheshim si kuadro të partisë e të shtetit për oficera (nuk ka qenë kurrë dhe as nuk jam anëtar i ndonji partie politike). Kam filluar punën në Montimet Industriale duke marrë pjesë në të gjitha objektet e rendësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë ej. etj. Pastaj mbasi "vrau vehten" Mehmet Shehu u emrova k/energjitik i Komb. Drurit "M. Mame". Në vitin 1989 falë Llambi Gegëpriftit i shpëtova arrestimit sipas nenit famëkeq 55 (ndër kohë kisha 15 anëtarë të familjes nga babaj në burg politik (4 xhaxhallarë, 8 djem xhaxhallarësh dhe 3 djem hallash). Më dërguan me 3 turrne në fabrikën e Letër - Kartonit. Pastaj në Levizjet e dhjetorit e deri 4 ditë pas vrasjes makabre kam qëndruar pranë PD-së dhe mikut tem të paharruar Azem Hajdarit. Padyshim habiten të gjithë por kam qenë i papunë - kam punuar këpucar (qepja këpucë të shqepura dhe i shisnim në trotuare, kam punuar 2 vite edhe peshkatar me djem nga Shëngjini dhe nga Vlora). Realizova sapo filloi lufta në Kosovë një Koncert Homazh së bashku me Edmond Zhulalin duke i rënë kryq e terthor Europës në 22 shtete për të mbledhur ndihma për popullin e rrezikuar në Kosovë së bashku me 8 artistë të tjerë si Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Ledina Celo, Cun Lajçi, Ilir Shaqiri, Numon Mushkolaj, Liri Lushi, Arif Vladi e Leonora Jakupi duke realizuar me tekstet e mija dhe muzikë të Zhulalit rreth 103 këngë nga të cilat "Marrshin e UCK-së". "A vritet pafajsia", "Ali Ajetit" "Adem Jasharit" "Zahir Pajazitit" etj etj. Mbeta pastaj në Zvicër, i vlersuar nga një Njeri Gjigand i kombit që është jo vetëm atdhetar i shquar por edhe biznesmen me famë botnore Behgjet Pacolli ku prej më se 5 vitesh punoj si Drejtor i Shtypit. Banoj në Lugano, ime bijë përfundon Universitetin për Shkenca Komunikative, ime shoqe si inxhiniere konstruktore është efektiv i Arkivit Teknik Shkencor.