>
LETERSISHQIP

Lili

I
“Armiku e meriton pushkatimin.”
Këte përgjigje, ngado shkoi, i dhanë.
Çfarë nuk bani me shpëtue të vëllanë.
Pranoi, pa u mendue, propozimin...
Ia shtupoi nji duhmë e qelbët hundën
Sa zorrët iu trazuen mbrenda barkut...
Mërrudhun, u përplas, sipër jatakut
Turpshëm e përjetoi Lili dhunën.
Përskaj iu ul dhe e mbërtheu shtinjaku
“Mos më zhvish, të lutem, dhe mos më prish!”
Ia hoqi rrobat dhe, në dysheme, ia flaku.
Si panterë mandej iu turr në mish...
Lili e kuptoi tashma: kish ra në lak
Kur zhveshun e pau veten, ba cullak!...

II
Si qen ia kafshoi trupin me dhambë
Derisa u eth e u përndez përbindshi
At’ kurm të lakuriqtë e dërmishi...
Si farkë jehonte nji gulshim i randë
Rënkimi i përgjigjej si kuisje e gjatë...
Nja tri a katër herë djersët bujisën.
Kështu andërrat u shuen, u terratisën:
Me zhvirgjënimin jeta vdiq at’ natë!
N’mëngjes si hajdute ecën n’trotuar
Si u zhbi, u tret për nji natë ai hir
A asht ajo Lili siç ishte ma parë?
Vajti në dyqan, bleu nji torbë qymyr.
N’gushë e në gjoks i duket ndonji blanë
Qeskë e syve vjollcë, trupi-jargavanë...

III
Lot i pastër natën moti, qielli xham
I kaltër, mbushun prush me xixa ari
Dielli bujarisht dhuron rreze acari...
Makina e kobit uturon n’kalldram!
Potershëm kërset dera, i bien me shkelm
Gjyshja hukat duert të ngrime akull
Pa kujë e bujë hap derën, shpirtin helm
Policët sheh, luhatet, bie shakull
Pse keni ardhë, he, ju ardhtë gjama?!
Zoti paftë e gjoftë mor t’paftyrë
Ka për t’ju zanë, he, ju zantë nama!
Lili vdiq. E mbyti veten me qymyr...
Shtoja zullumin, Zot, këtij Jeziti
Djalin m’pushkatoi, Vajzën ma koriti!...

Më shumë nga Ahmet Kolgjini