TEKSTESHQIP
Biografia
Poezitë e Alban Tartarit janë të njohura prej kohësh. Në një mënyrë a në një tjetër, poezitë e tij janë bërë të njohura ose nëpërmjet cikleve poetike në periodikë të ndryshëm, ose si tekste këngësh. Të mos keqkuptohemi: shpesh tekstet e këngëve nuk janë kriter i domosdoshëm për reputacionin e poezisë së mirë. Por poezitë e Tartarit bëjnë pjesë në ato raste fatlume kur teksti i poezisë e bën këngën të pavdekshme. Tekembramja, cili prej poetëve të mirë, qofshin dhe ata me ambicie elitare artistike, nuk ka ëndërruar që poezitë e tij të bëhen motive këngësh? Që vargjet e tij të këndohen dhe të pëshpëriten me vete, duke shkundur e pastruar energjinë e keqe? Të tilla vargje fisnike e purifikuese gjen plot dhe ato mbushin me kuptim linjën muzikore të albumeve të këngëtarit Pirro Çako. Dikur, në zanafillë të artit poetik, fjala dhe muzika paraqisnin një sinkretizëm, një unitet artistik. Vargjet shoqëroheshin me lirë (së këndejmi vjen dhe emërtimi - lirikë). Poezitë e Tartarit e kanë atë dhunti fatlume –të shkrihen me materien muzikore, pasi janë të mbrujtura në thelb me ritmin dhe imazhin e brendshëm të përfytyrimit. Arti poetik i Tartarit vetëm se e zhburgos imazhin në një bashkëjetesë të lashtë fjalë -muzikë, për ta kthyer fjalën në origjinën e saj të parë. Por kemi të bëjmë tash me një libër poetik, që e paraqet poetin para lexuesve me një album lirikash nëpërmjet teksteve të shkruara në kohë e gjendje të ndryshme.

E lexova dorëshkrimin e librit, ngadalë, duke e shijuar pak nga pak, bashkë me përkthimet. Kanë një ndikim të menjëhershëm e të fortë këto tekste. Materia e tyre është formësuar me një thurimë të hollë, delikate, asociacionesh, mendimesh, përfytyrimesh, ku lulet e abstraksionit shpërthejnë në ajër, pikërisht sepse janë tepër tokësore. Venë e vijnë këto thurima të holla, herë si të prapmet e dallgëve që turren të dantellta dhe shuajnë shkumëzimin në breg, herë si herioglife të ngrohta malli, të vizatuara në qelqet e avullta. Shuhen e rizgjohen me ritmin e ëndrrës. Kanë paqartësinë e mallit dhe urinë për të pushtuar hapësira gjeografike, por edhe për të zgjuar frymën e thellësisë së enigmave tona. Konturet e botës që vizaton e skicon instinktivisht Tartari, janë gjithmonë në transformim dhe metamorfozë. Janë enë komunikuese që zbrazen në njëra-tjetrën dhe ti ndjen si lëviz teptisja e mallit dhe ëndërrimit. Nuk është një art i thjeshtë ky! Instrumenti i ligjërimit poetik ecën në dy linja paralele: në njërën linjë kumbon sonoriteti muzikor me ritmet, pauzat, frymëmarrjen, diksionin intim që është mistika e autorit, ndërsa linjën tjetër e përmbush shtrirja e mendimit dhe imazhit, fjala e zgjedhur saktë, ndryshe - sintaksa e zhdërvjellët, rrjedha e tejpashme dhe pastër e vegimit. Asnjë artificë në këtë art, përveç ujit të gjallë të poezisë! Asnjë shtirje, asnjë pozë, përveç sinqeritetit të pamanipulueshëm, pa gremça fjalësh. Unë do ta përcaktoja tipin e poezisë së Tartarit si një art të ngarkuar me nostalgjinë e një romantike moderne urbane, me peisazhe psikologjike dhe emocionale të një bashkëkohësi; unë ndjehem ngrohtë i pështjellë në këtë atmosferë me trotuare, aeroporte, shira dhe ëndërrime transhendentale për të bukurën, efemeren, të pakapshmen. Në fakt, ajo është vatra jonë, zjarri që na ngroh e na bën të ëndërrojmë, se mahnia është diçka tokësore, me të cilën kemi harruar të përshëndoshemi. Ndjesia e butë e mallit për të qenë njëherësh në zhguallin tënd dhe me njerëzit, kadenca e butë e ritmikës dhe muzikës spontane, të përkundin në gjysmë-ëndërritje për gjërat e dashura e të shtrenjta që i kemi përreth, por nuk shquajmë, nuk i prekim, nuk i përjetojmë si harmoni të së tërës. Natyra dhe peisazhi në sfondin urban janë aq harmonikë, sa të duket se i ndjen njëlloj, si rropullitë e tua. Ky përjetim emocional dhe fiziologjik i qytetit janë vetë qenia jonë kontradiktore midis fluturimeve dhe rënieve, midis ngutjes së verbër dhe mallit të beftë që na godet plot dhimbje me bukurinë e ngrohtë njerëzore. Prandaj këtë lloj muzike qelqesh, shirash, kujtimesh e nostalgjie, të vjen ta këndosh me zë të ulët, për vete. Si peizash të brendshëm, të përmallshëm. Kjo është papërsëritshmëria e syve të poetit, mënyra dhe metafizika si i sheh, percepton dhe përjeton enigmat e kësaj bote: një vështrim fisnik, me sy të magjepsur, që di të të falë vetëm një zemër e pastër. Tek e fundit, dhuntia e poezisë kërkon, përveç aftësisë për të depërtuar në psikologjinë e subjektit përjetues, edhe një zemër të madhe, të pastër dhe fisnike. Dhe këtë dhunti ta fal veçse Zoti i Madh.

Kur ke të bësh me një poezi të tillë, çdocili interpret përmbahet dhe nuk vërshon me fjalë të tepërta për të treguar erudicionin e vet, i cili shpesh mbush faqet e komenteve dhe interpretimeve, kryesisht për të spekuluar me të. Në rastin e poezive të këtij vëllimi, i vetmi gjest me vend është të hiqesh me takt mënjanë, duke lënë vetë poezinë të kumbojë, të na rrëmbejë në shtjellën e vet magjepsëse. Tani e kam të pamundur si poet dhe interpret i poezisë, të mos ndjek krijimtarinë e Alban Tartarit, poezinë, por edhe përkthimet e tij, të cilat janë vazhdim i projeksionit të tij ndër shpirtra të ngjashëm, binjakë.

Agron Tufa, 13.02.2010
Komente 0