(1941-2015)
Biografia
Rruga e tij ishte hapur vetvetiu dhe kush tjetër mund të ish tani kitaristi solist edhe për orkestrën e vetë RTSH ku shkëlqeu ndjenja improvizuese e tij, fantazia, plani harmonik dhe po kështu edhe krijimet e tij të mirëfillta. Është koha kur mbaron studimet në Konservatorin për Kompozicion dhe që nga ajo kohë dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në Festivalet e Këngës në RTSH. Pas studimeve gati tërë jeta e tij fillon të lidhet me qytetin e tij të lindjes Elbasanin, ku la një kontribut të gjithanshëm, duke filluar që nga Shtëpia e Kulturës, Estrada e Elbasanit, Orkestra Simfonike, formacionet e vogla dhe aktivitetet e panumërta që në qytet ishin të shumta. Është e pamundur ta rrëfesh në pak rreshta punën që bëri plot dashuri me motivet e këngëve qytetare Elbasanase për t’i studiuar, përpunuar dhe përhapur në mënyrë masive për kulturën muzikore shqiptare. Nuk ish rastësi që edhe diplomën ai mbrojti me këngët e Isuf Myzyrit, kësaj ikone të muzikës elbasanase, një studim profesional që shkëlqen sa nga profesionalizmi aq edhe nga dashuria pasionante e këtij artisti të madh. Ky ishte Alfons Balliçi, që u bë tamam një legjendë dhe theu rregullat e kohës. Thonë se legjendat lindin pas vdekjes së heroit. Alfonsi u bë një legjendë duke qenë ende i gjallë, me kitarën e tij në dorë. Tërë kitaristët e Shqipërisë tani kishin vetëm një idhull që nuk ngopeshin ta dëgjonin, ta njihnin, ta takonin.
Dhe si për të gjithë të mëdhenjtë e botës magjike të artit muzikor filluan historitë për bëmat e tij, për kapriçiot e tij kur luante duke e mbajtur kitarën pas shpine, për veshin e tij absolut e të pagabueshëm deri në kapjen e picikatos midis orkestrës që drejtonte. Janë të panumërta "bëmat’ e vërteta të Alfonsit që ndodhnin para syve të njerëzve. Njëra prej tyre ngjan edhe përtej të pabesueshmes për aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Midis orës ku jepte mësim e nuk pipëtinte askush, në kohën që ai ish me shpinë, dikush nga nxënësit përplasi kapakun e bangës. Mjeshtri u kërkoi nxënësve duke buzëqeshur ta tregonin se kush e kish bërë. Klasa heshti disa sekonda dhe mendoi se kjo ishte e pamundur. Por mjeshtri shkoi bangë më bange duke përplasur një nga një kapakët e tyre. Tek njera ndaloi dhe i tha nxënësit kokulur: Ti e ke bërë, është ky kapak! E kish pikasur përmes frekuencës së goditjes. Klasa mbeti e shtangur. Sikur aty të kish zbritur drejt e nga qielli një magjistar. I tillë ish veshi i Alfons Balliçit të madh...
Jeta e Alfonsit kaloi e gjitha në Elbasan, jo në Tiranë, aty ku muzika dhe fama e tij do ti kish shpalosur krahët më gjerë dhe më larg... Aty në vendlindje e gjetën vitet ’90 si Artist të Merituar. Si koleg i tij gjithmonë e kam përjetuar me dhembje, që fati nuk e deshi të ish në kryeqytet, aty ku zemra e tij do të merrte më shumë adrenalinë krijuese. Sepse talenti i tij ish më shumë se sa kënga e muzikës së lehtë, zemra e tij ishte gatuar për gjini më të mëdha. Të tilla ishin energjitë e tij, fantazia dhe imagjinata krijuese e Alfonsit të pashtershëm. Ne sot do të kishim më shumë krijime prej një mjeshtri kaq të madh, nuk do të kishim vetëm aq këngë dhe vepra muzikore sa ai na la, por shumë më shumë se sa kaq. Nuk do të kishim vetëm disa pjesë për kitarë që shkroi, nuk do të kishim vetëm një koncert recital në emisionin "Këngë në pentagramin tim", që u bë për të në vitin 1985, apo vetëm një recital me krijimtarinë e tij për këngët e Shqipërisë së Mesme që dha më vonë Ansambli ynë Kombëtar.