Ka ndërruar jetë më 20-7-2008
Biografia
Isha akoma fëmijë kur e kam njohur Aliun si këngëtar e valltar. Ishte një bilbil i rallë. Kur vinte në fshatin tim në Mançurisht, sëbashku me të vëllanë Nevruzin te disa miqtë e tyre,mblidhej gjithë fshati; burra, gra e fëmijë se buçisnin këngët e Aliut e të Nevruzit
" Vallë a vjen behari","Ku do ta shkojmë dimrin","Syrin rrush të zi ma ke","Llaj çobankë" etj dhe tundeshin dyshemetë e odave kur ata kërcenin " Vallen devolliçe".
Kur isha i ri, sapo mbarova shkollën e mesme bujqësore,në vitin 1960, më emëruan agronom në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar të Vranisht-Pilur Bickë.
Aty Aliu ishte Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës. Aty njoha një Ali me përmasa të tjera. Ai ishte njëherësh bibliotekar, koreograf, skenarist, regjisor, mbledhës e studjues folklori.
Falë këtyre cilësive të Aliut Kooperativa e Vranishtit kishte një veprimtari kulturore e artistike të gjithanshme. Grupet amatore të këngëve e valleve të Vranishtit ishin me nam jo vetëm në Devoll e në rrethin e Korçës por edhe më gjërë.Por Aliu krijoi dhe një
grup amator për shfaqje teatri dhe estrade. Me që unë nuk ia thosha për këngë e valle,Aliu më futi në grupin teatror. Në atë grup bënin pjesë djem dhe vajza të talentuar kooperativistë por edhe arsimtarë, ndihmësmjekë etj.
Patëm shumë sukses; konkuruam në Devoll e në Korçë dhe kemi dhënë me dhjetra shfaqje të bukura në kooperativat e rrethit të Devollit e të Korçës. Kemi konkuruar me sukses edhe në Festivalin Kombëtar të Teatrove Amatore të Republikës që u zhvillua në Vlorë.Tek ai grup amator teatri, me regjisor Ali Kondin,e kanë fillesën dhe dy aktorët e njohur të Teatrit "Andon Zako Çajupi" të Korçës, shokët e mij dhe të Aliut, Refik Xhinaku e Nazif Tale.
Vitet si pa u ndjerë ikën. Ali Kondi arriti të tetëdhjetat dhe unë fillova ta thërras"Xha Ali". Por Ai një ditë më surprizoi me rininë e tij kur më dhuroi katër librat që kish shkruar.
I lexova ato libra dhe njoha një Ali edhe më të madh. Njoha një poet, një shkrimtar,njoha një historian të vërtetë. Dhe tani them: Ali Kondi është për mua një enciklopedi.Ali Kondi formalisht nuk ka patur ndonjë diplomë fakulteti por ishte një brumë i gatuar mes devollinjve me shumë zell pune e dashuri. Ali Kondi ishte i rrahur me vaj e me uthull. Ai ka mbajtur në dorë pushkën partizane, ka mbajtur në dorë parmëndën e bujkut, ka mbjellë e ka korrur me duart e tij, i ka rëzuar vetë drutë e dimrit nga Morava dhe vetë e ka zjerë rakinë për ta pirë me miqtë e me shokët. Ndaj dhe pena ecte vetë në dorën flori të Aliut.
E si është kjo jetë. Këtu në Koloradon e largët ku jetoj, mësova se më 20 korrik të vitit 2008 xha ALIU ndërroi jetë.Menjëherë, që atë ditë, e mora në telefon për ta ngushëlluar Mukadesin, bashkëshorten e Aliut .Iku më tha, iku papritur, iku duke qeshur, iku duke kënduar; po këndonte me mbeskën e vogël që e deshte aq shumë.
Tani që po shkruaj këto radhë, kam vënë kasetat dhe po dëgjoj këngët e bukura me zërin melodios të Aliut dhe bashkëshortes së tij
Mukadesit, kushërirës time. I dëgjoj për t’u çmallur por më shumë përmallem. Lotët më lagin faqet. Janë lotë malli, lotë dashurie, lotë për gjithë Devollin tim.