Biografia
Në vitin 1974 përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës dhe për 20 vite ushtroi profesionin si pediatër në Gjirokastër. Pas vitit 1994 fitoi përvojë të gjerë në organizimin dhe administrimin shëndetësor, duke dhënë kontribut të ndjeshëm në sektorin spitalor, në zhvillimin e burimeve njerëzore, në ngritjen e Komitetit Kombëtar të Etikës Mjekësore dhe në modernizimin e infermieristikës shqiptare.
Nga viti 1996 deri në vitin 2006 ka qenë ekspert permanent i Shqipërisë në Komitetin Europian të Bioetikës dhe në Komitetin Europian të Shëndetit pranë Këshillit të Europës në Strasburg. Paralelisht, ka kontribuar në fushën e historiografisë së mjekësisë shqiptare dhe asaj botërore.
Në periudhën 2007–2011 ka ushtruar funksionin e Dekanit të Shkencave Mjekësore në Universitetin Privat “Kristal”, ndërsa aktualisht është lektor në Fakultetin e Mjekësisë të UT. Në vitin 1990 mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe sot mban titullin “Profesor”.
Andrea Gudha është gjithashtu themelues i Shoqatës së Mjekëve Artistë, e cila përfshin emra të njohur si aktoret-mjeke Anisa Markarian dhe Linda Cangonji, mjekët Zisa Cikuli, Pandeli Çina, Emil Cimbi, Flamur Topi, shkrimtarja dhe mjekja e re Brunilda Zllami, farmacisti-piktor Harallamb Fandi, si dhe psikopediatria koleksioniste Linda Spahiu, ndër të tjerë.