>
BIOSHQIP
Biografia
Vepra poetike e autorit Asllan Lan Qyqalla, “Vjeshtë në Prishtinë” që në leximin e parë të nxjerrë nga përgjumja e përditshmërisë duke të futur në kujtesën e së kaluarës, rinisë edhe në kohën e mëvonshme kur jeta dhe vdekja ishin bërë një. Pra, paraqitja kuptimplotë e vargëzimit deri te dialogu i personazheve që ruajnë nivelin e duhur të përfytyrimit të disa fakteve, disa gjërave, disa personave, që gjenden në jetën reale dhe që ia tërheqin vëmendjen shkrimtarit e për të shprehur, kuptimin, pamjen dhe jo vetëm i përfytyron, por edhe i përgjithëson në personazhe tipike e zhvillim të ngjarjeve në vazhdimësi.
Duke marrë parasysh se autori në veprën e tij, ruan largësinë e nevojshme të një periudhe me të sotmen e të ndodhurën, ajo mbetet pjesë e një tërësie që e ruan atë dhe e le si gjurmë në një përmasë historike e letrare. Gjithë kjo i ngjan një kreature letrare, që fundin e saj fillon ta ndritë një rreze e ngrohtë dielli, kushedi sa muaj e vite më parë...
Duke e lexuar veprën letrare të autorit Lan Qyqalla “Vjeshtë në Prishtinë”, lexuesit gjejnë pikërisht kreaturen heroike të personazheve, që jo vetëm janë shembull i modelit jetësor, por edhe interpretim i së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes.
Kjo formë e rrëfimit, përmes vargut poetik, pavarësisht zhanrit teorik e stilistikë, quhet vepër e mirëfilltë letrare në të cilën gjejmë dramën e një e ma shumë dashurie, si dhe tragjedinë brenda shumë ngjarjeve të kohës së atëhershme e deri të koha e tanishme, ku përmes vargut të ndërtuar mjeshtërisht përshkruhen ngjarjet e dëshmuara dhe papritmas ndërhyn ndërtimi i profilit të heroit që kalon nëpër ngjarjet e së kaluarës, duke ndërtuar praninë e papranishme dhe kjo është një shkathtësi dhe mjeshtri e rrallë rrëfimore dhe reale në të njëjtën kohë.
Poetët, të cilët pjesë të jetës, të gjakut dhe të etjes e kanë dashurinë, ata vargun e kanë këngë madhështie, me të cilën, sado mirë që e shkruajnë, ata prapëseprapë mbeten të etur për të thënë e për të rrëfyer edhe diçka, dhe atë, duke filluar nga vetja e deri tek rrugëtimi nëpër udhët e jetës që ka lënë gjurmë për të thënë, shkruar e vargëzuar shumë. Kjo ngase, dashuari dhe toka e lagur me gjak, ka shumë këngë, rrëfime e ngjarje të pathëna, mbase edhe të pa shkruara.
Libri poetik ”Vjeshtë në Prishtinë”, pjesa e parë është e shkruar me përkushtim e dashuri për dashuri, kurse pjesa e dytë për atdheun, dëshmorët, më të dashurit që nuk jetojnë më, duke mos e lënë anash as simbolizmin e dashurinë për vdekjen, si të poezia “U dashurove në vdekjen”:
Në vdekje dashurohen:
poetët, muzikantët, nobelistët, të krisurit...
Të poezia Vjeshtë në Prishtinë, nga e cila edhe pagëzohet libri, vargëzimi shndërrohet në rrëfim e histori, e cila pastaj, tërë kohën e ngacmon lexuesin për të ecur krah për krah me përjetimet e poetit, i cili mbi vete ka të ngarkuar dashurinë bashkë me vargun përcjellës, dhe se, autori, përmes vargut shprehet:
Përse, përse ne u takuam në vjeshtë,
në amfiteatër ti cicëroje…
në qiellin e Prishtinës, në natën e ftohtë,
përse më shigjetoje si zanë mali mu në sy…
Dhe autori duke u përplasur me situata të ndryshme mbase edhe shpirtërore, vargu i tij merr terrnak dhe nganjëherë e zhvesh autorin nga vetvetja, sepse, në gjendje të tillë, asgjë nuk ka kuptim kur liria u ngjante prangave. Për këtë, ai, i trembur nga ecjet, nuk heziton që në shenjë revolte të ligjërojë gjithnjë plotë pezëm:
Atdhe, në pasqyrën tënde
pashë bajlozët duke ladruar,
pashë Sulltanë e padishahë të ndërkrehur,
erdhën për të përshkardh
me gjysmëhënë e krrokama...
Kjo formë e të shkruarit e bën poezinë pasqyrë të situatës aktuale në të cilën gjendet vendi, kështu që, përmes vargjeve mbërthehen e tingëllojnë mesazhet qortuese. Me këtë, poeti, sikur do të na thotë se gjeneratat e reja dhe ato të tjera që do vijnë, do ta shërojnë e stolisin lirinë e lënduar dhe të plagosur. Dhe, përmes vargut hapë zemrën dhe shpirtin, por shpalos edhe ëndrrat...
Si gjithmonë dhe tek secili individ që nganjëherë së tepërmi ngushtohet shpirti, kjo ndodhë edhe tek autori i këtij libri, jo pse dëshiron të na reflektojë biografinë e vet, por ngase, gjithnjë ka etje për të rrëfyer dhe për të treguar edhe për të tjerët, se jeta dhe njeriu, jo rrallë janë vetëm kuptim fjale. Për këtë arsye, nganjëherë vetvetiu vargu rrëshqet apo edhe përvidhet përmes penës se autorit duke reflektuar si biografi e personazhit të poezia Natë:
…me një të shkundur provoj të hedh
pluhurin e kujtimit tend,
rreth e përqark errësira
qëndis e stolis emrin tend…
Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi, gjë që është e kuptueshme ngase kanë dalë nga shpirti poetik i autorit dhe Ai, sikur ka etje për t’i rregulluar dhe për t’i flakëruar binarët e jetës. Megjithatë, poeti gjithnjë përmes vargut të tij paraqet realitetin e jetës së përditshme, dhe mjeshtërisht ligjëron (si me lutje të fshehtë) për ta rregulluar treguesin e orës që dikton ditën dhe për ta bërë ndërgjegjen pjesë detyrimi të jetës.
Duke u mbështetur në një vargëzim të tillë dhe karakteristik, libri poetik ”Vjeshtë në Prishtinë” i Lan Qyqallës, është një vepër e rrëfimit të sinqertë shpirtëror, e cila i ngjanë edhe pikturës, edhe hartës, edhe madhështisë, edhe lumturisë e dashurisë, por edhe dhembjes.
Kjo vepër e ka mesazhin dhe cilësinë esteto-letrare, e cila begaton vlerat letrare dhe kulturore, për këtë, poezitë në librin “Vjeshtë në Prishtinë”, nuk janë rrëfim vetëm për këtë periudhë zjarri, ëndrrash, dashurie, dhembjesh e krenarish por janë edhe rrëfime të stolisura në vargje. Andaj, çdo varg i shkruar nga autori, e ka vulën e ndijimit të veçantë e specifik, që poezinë e shndërron në histori mbase edhe në baladë. Këtu qëndron edhe pesha e vargëzimit të Lan Qyqallës, i cili për një kohë ka punuar që këto poezi e vargje t’i kapërthejë e përjetësojë në libër. Dhe, mirë ka bërë që vargun e vetë ta lëshojë të ecën botërisht e të jehojë kudo e tek secili lexues. - nga Dibran Fylli, regjisor/aktor

1.”Bardhësi në Bardh” monografi, Prishtinë 1995
2.“Nimfa e një zemre të lënduar” tregime, 2013,
Prishtinë
3. “Loti - det dhimbjesh” poezi, në Prishtinë, 2016
4. “Lacrima Cuvantului” (Loti i fjales)romanishte,
Bukuresht 2016
5. “LORA” poezi, më 2017, Prishtinë
6. “Pashaportul iuburii” rumanisht, Bukuresht, 2018,
7. “Lora, mon amour”, frëngjisht, Bukuresht, 2018
8. “Passport of love” anglisht, Bukuresht, 2018
9. “ A L’ombre des musse” (“Ne hijen e muzes”), frengjisht, Paris, 2019 SHB L’HARMATAN
10. “Nus vers l’indepedendance”, tregime, Antologji, Paris mars 2020,
11. Poetes de L’AICL, UNE ANTHOLOGIE, poezi, Paris, 2018
12. “LORA” turqisht, Stamboll, 2022, perktheu Kopi KYÇYKU
13. “Vjeshtë dashurie në Prishtinë” poezi, Prishtinë, 2022
14. “Automne à Prishtina” poezi frëngjisht, SHB L’Harmattan, Paris, 2023
15. “Host i Pristina” suedisht, Malmo, Suedi, 2022
16. “GRAFIKU I SHPIRTIT” tregime, Prishtinë, 2022

Poezite e Lan Qyqalles jane botuar ne Amerike, ne Revisten : INTERNATIONAL ËRITERS’ JOURNAL janar-mars 2022, me ISSN 2690-1854

ÇMIMET
-Çmimi Krijues i vitit më 2017 nga Komuna e Fushë-Kosovës
-Çmimin për veprën poetike më 2019, nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, Shkup
-Drejtor i Shoqatës së Shkrimtarëve “Naim Frashëri”,
-Kryeredaktor në Revistën “Orfeu”