A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Tema: Poezi Për Familjen

Deltina

Deltinë bija ime ti erdhe në këtë jetë
Në vitin 00 dhe në fillimin e jetës së ëndërruar
Atëherë kur nëpër rrugët e qytetit
Ende kishte tulla të thyera e tjegulla të nxira
Dhe kolona çlirimtarësh ku me flamuj të skuqur
Shokët drejt altarit i përcillnin

Ti erdhe kur unë rrugëve të Prishtinës ecja i lumtur
Dhe ashtu sikur ty doja edhe qiellin ta përqafoja
Doja ta puthja atë dorën tënde të vockël e të thosha
Eja shpirti im dalim e shëtisim në rrugët e lira
Se tashmë nuk ka as të shtëna as granatime...
Eja bija ime u hedhim nga një lule
Shokëve me të cilët vetëm nëpër ëndrra
Këtyre rrugëve hapat tanë kemi numëruar

Si sot e disa vjet më parë unë mirë e kujtoj bija ime
Domethënien e emrit tënd kur të shpjegova
Ti sikur prishe fytyrën e më the – Ah babi!!!
Emrin e tokës paskam unë...
Sot kur unë dhe ti jemi larg nga ajo deltinë
Unë çdo ditë ndjej erën dhe mungesën e saj
Madje edhe ëndrrat më vijnë deltinore

Deltinë bija ime jeta është si tehu i mprehur i thikës
Është mbulesë prej hiri ku ti do shkelësh përherë
Dhe do kesh momente në jetë
Kur vetëm për pak sekonda do mësosh tërë jetën
Dhe tërë jetën mund të mos i kuptosh ata sekonda

Mësohu në jetë përherë të shohësh horizontalisht
Kuptoje se jeta përbëhet nga çasti kur ne prekim tokën
Dhe ai kur qielli ngadalë fillon të na errësohet
Dhe brenda kësaj hapësire ne skalitim emrin
Emrat e prindërve e gjakut tonë
Emrin që kemi qenë një njeri mes miliardëve
Dhe kemi ecur këmbëzbathur
Duke lënë gjurmët e thembrave sa më thellë

Deltinë bija ime pranverat tona janë të pa arritshme
Dhe një ditë kur të jesh pranë varrit tim
Të lutem shumë të lutem asnjë pik loti mos derdh
Se njerëzit që derdhin lot e zemra ju loton
Ata vijnë dhe ikin të lënduar nga kjo botë e egër

- poem written by Avni Azizi


- Submitted by Avniazizi2018 -

Choose star rating

Rating:  5 / Votes cast:  1





Kjo faqe përdor cookies vetëm për reklama dhe statistika. Kjo faqe nuk mbledh, nuk përdor dhe nuk shpërndan të dhënat tuaja. Kompanitë e palëve të treta që përdorin cookies janë: Google, Taboola dhe MGID.
Më shumë info  
teksteshqip.com © 2007 - 2019