TEKSTESHQIP
Biografia
Bana Zahiti është këngëtare, tekstshkruese dhe producente shqiptare, e lindur dhe rritur në Gjermani me prejardhje nga Vushtrria. Ajo është lidhur me muzikën që në fëmijëri dhe është përkrahur që herët në zhvillimin e këndimit dhe performancës përmes programeve të ndryshme artistike. Arsimin e mesëm e kreu në një gjimnaz artistik, ku kultivoi më tej talentin e saj.

Në rrugën e saj muzikore, Bana është e ndikuar nga muzika amerikane – veçanërisht R&B, soul, hip-hop dhe pop – dhe njihet për një stil të ndjeshëm, të veçantë dhe personal.

Pas përvojave të shumta në studio dhe performanca të ndryshme, ajo studioi muzikologji dhe histori arti në Universitetin e Heidelbergut dhe më pas vazhdoi studimet në Popakademie Baden-Württemberg, me fokus si singer-songwriter dhe producente.

Në vitin 2023 ajo publikoi disa këngë si artiste e pavarur, ndër to edhe “Pranverë”, që u prit mirë nga publiku dhe i solli më shumë vëmendje në skenën shqiptare.

Po në vjeshtë 2023, Bana mori pjesë në edicionin e parë të “Festivalit të Këngës” në RTK me këngën e saj “Dukat”, të cilën e ka shkruar dhe prodhuar vetë. Që nga viti 2024, ajo bashkëpunon me ekipin e Pressplay si dhe me Takat Studios, në realizimin e projekteve të reja muzikore dhe vizuale.