>
LETERSISHQIP

I Urrej Maskat

Sa i urrej maskat që buzëqeshin
Të ngrirat fytyra që fjalë lëshojnë
Të rrahin supet, shpinën dhe dorën
E gropën nga prapa ta bëjnë shpejt të t'mbulojnë

Sa i urrej maskat që lëshojnë fjalë
Ato që njerëzit i mbajnë në fytyrë dhe e shohin botë veç nga dy bira
Ato që trishtueshëm zgërdhihen ha-ha-ha
Dhe prapë s’u ndërron fytyra

Sa i urrej maskat që kanë veç një ngjyrë
Të artë nga jashtë ato që e kanë ngjyrën
Se ato përdoren veç për një mënyrë
T’u sjellin në jetë të pafajshmëve mynxyrën

E urrej çdo maskë, s’e dua jetën me maska
Edhe ato që barten për Helloueen, kurdo
Edhe maskën e Babadimrit, apo të hajdutit e urrej, s’e dua
Se prapa saj mund të fshihet kushdo

Sa e mirë do të ishte bota pa maska
Gënjeshtra s’do t’kishte, të gjalla do t’ishin buzëqeshjet
Edhe më e gjallë do t’ishte jeta
Pa maska do të zvogëloheshin vetëm kureshtjet

Më trishtojnë vrimat e syve në maskë
Edhe kufizimi i fytyrës gjer pranë veshit
Urrej t'i shoh edhe ushtarët me kaskë
Pse doli maska, pse bota s'i la gjerat sheshit?

Mirëpo, pse i urrej maskat në doni vërtet ta dini
I urrej se s’dua dyfytyrësinë
Është e ligë kjo sëmundje, prej saj kujdes kini
Mos mbani maskë, tregoni njeriun: mirësinë