TEKSTESHQIP
Biografia
Brikenë (Jakup) Ceraja–Beka u lind më 4 dhjetor 1979 në Mitrovicë ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës i kreu në vitin 2003. Ka mbaruar masterin në Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës me temën “Figura e Skënderbeut te ‘Skënderbeu i pafan’ e De Radës dhe ‘Histori e Skënderbeut’ e Naim Frashërit”. Aktualisht është duke vijuar doktoratën në Universitetin “Kliment Ohridski” të Sofjes.
Me shkrime ka filluar të merret që në moshë të re. Shkruan kryesisht poezi, por herë pas here shkruan edhe tregime të shkurtra. Deri më tani ka botuar tri përmbledhje me poezi. Përmbledhja e parë, “Fytyra e babait”, u botua në vitin 2002 nga Shtëpia Botuese “Rozafa” në Prishtinë, ndërsa e dyta, “Udhëtim me fjalën e vrarë”, u botua në vitin 2006 nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, po ashtu në Prishtinë. Libri i saj i tretë, “Më fal pak dashuri”, u botua në vitin 2017 nga shtëpia botuese “Deon AB”.
Ka bashkëpunuar me gazeta dhe revista letrare të Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka botuar poezi, tregime të shkurtra, recensione dhe vështrime për libra dhe autorë të ndryshëm.
Poezia e saj është vlerësuar si nga lexuesi po ashtu edhe nga kritika, duke u shpërblyer disa herë. Në vitin 2003, në manifestimin “Kepi i shpresës së mirë – Fahredin Gunga”, i cili mbahej në Mitrovicë, është shpërblyer me çmimin për veprën më të mirë në poezi me librin “Fytyra e babait”. Në vitin 2006, në Mitingun e poezisë në Gjakovë është shpërblyer me çmimin për poezinë më të mirë të lexuar në orën letrare të këtij manifestimi. Çmimin për poezinë më të mirë të lexuar në orën letrare të Mitingut të poezisë në Gjakovë e ka fituar edhe në vitin 2008. Me çmime është shpërblyer edhe nëpër aktivitete dhe konkurse të ndryshme letrare.
Që nga viti 2003 është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Komente 0