Burbuqe Rushiti u lind në një familje të vjetër prishtinase. Dashurinë për letërsi ia kultivuan prindërit e saj, të cilët e donin dhe e çmonin artin. Burbuqja shkollimin fillor të mesëm dhe fakultetin i kreu në Prishtinë. Studio në Universitetin e Kosovës ku kreu Fakultetin e Filozofik, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, po aty kreu edhe studimet e magjistraturës në filologji. Qysh herët filloi të merret me shkrime të cilat i botoi në revistat: “Zëri”, “Bota e re”, “Kosovarja”, dhe bashkëpunoi edhe me Radio Prishtinën. Në vitet e hershme të krijimtarisë poezitë e saj zunë vend në antologjitë e poezive të studentëve të Universitetit të Kosovës me titull “Rrjedh e le gjurmë”. Deri më 5 korrik 1990 punoi si gazetare në radio Prishtinë. Pas largimit të dhunshëm nga puna nga regjimi serb u angazhua si redaktore në revistën “Teuta” si dhe bashkëpunoi me të përditshmen “Bujku” si gazetare në rubrikën e politikës së jashtme ku u shquan analizat e saj për Turqinë. Më 1998 u bë korrespondente e Radiotelevizionit më të njohur informativ të Turqisë NTV ku raportonte nga terren e luftës në Kosovë. Më 1999 u bë përfaqësuese e Radiotelevizionit NTV dhe CNBC për Ballkan, raportoi edhe për konfliktin në Luginën e Preshevës dhe të Maqedonisë. Përveç poezive të botuara në shumë revista të Kosovës Burbuqja në korrik të vitit 1999 botoi librin e saj të parë në gjuhën turke në Stamboll me titullin “Kokunu ozeldim Kosova” (Kam mall për erën tënde Kosovë). Vlerësimet e kritikëve të njohur turq për librin e saj ishin shumë të larta. Kjo ndikoi që ky libër të bëjë bujë dhe të pritet shumë mirë në Turqi. Brenda gjashtë muajve ishte në listën e librave më të shitur në vend.
Në vitin 2000 Burbuqja si konkurrente e propozuar nga gazeta “Hurriyet” për gratë më të suksesshme të Mileniumit në Turqi arriti që me votat e opinionit turk të jetë njëra ndër katër gazetaret më të preferuara të Turqisë. Burbuqe Rushiti ishte pjesë e shumë konferencave të organizuara në Turqi me ç ‘rast mbajti ligjërata në Degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Stambollit dhe Universitetit Marmara në Stamboll. Rushiti është autore e disa përmbledhjeve me poezi, ndërsa është marrë edhe me përkthime në prozë dhe në poezi, si dhe me kritikë letrare, veç këtyre ajo ka qenë tekst shkruese e shumë këngëve të suksesshme të viteve 80-ta dhe 90-ta që janë kënduar në Akordet e Kosovës.
Burbuqe Rushiti vdiq pas një sëmundjeje të rënde më 4 gusht 2019 në Prishtinë, la pas vetes bashkëshortin Mustafa Komonin dhe dy djemtë e saj Rinorin dhe Krenarin.