TEKSTESHQIP
Biografia
Prej disa javësh, studentja nga Gjirokastra, Denada Kardhashi, është bërë virale në rrjet. Ajo është shfaqur duke kënduar polifoni labe dhe kjo ka bërë që të pëlqehet nga të gjithë. Madje, njëri prej tyre që e ka pëlqyer shumë është dhe këngëtari Flori Mumajesi, i cili i ka dhuruar dhe një version të ri. Denada ka zbuluar detajet se si e realizoi këtë video dhe ftesën që Flori i ka bërë.

“Të jem e sinqertë, unë këtë video e kam bërë vetëm për mamin se ajo i ka qejf këto këngët dhe kishte dëgjuar që unë kisha filluar ta këndoja këtë këngë dhe i pëlqeu. I thash shoqes hajde ta bëjmë një video, t’ia nisim mamit. Nuk e kishim planifikuar kurrë që një këngë labe, polifonike, të merrte viralitetin ose të kishte impaktin që pati.

Pas dy javësh, ma nisën të afërmit e mi që Flori kishte postuar versionin orgjinal dhe versionin e tij. E falenderova, i shkruajta dhe ndodhi ajo që unë nuk e prisja, ai replikoi dhe më tha në çdo moment që ti do kesh nevojë për suport apo për ndonjë mini-projekt, unë do të jem gjithmonë aty, kur ke nevojë”, u shpreh ajo.

Më tej, Denada ka treguar se këtë pasion e ka të trashëguar nga babai, pasi ai këndon herë pas here në gëzimet familjare dhe festivale të ndryshme.

“Është disi e trashëguar, duke qene se dhe babai im ka kënduar nëpër festivale të ndryshme në gëzime familjare, mblidheshim me njëri-tjetrin dhe gëzimin tonë e shprehnim nëpërmjet këngës. Domethënë e kemi përdorur këngën si një metodë për të qene më të afërt me njëri-tjetrin, për t’u mbledhur”, tha Denada.

Ajo këndon labçe dhe është super e ndjekur në tik tok, studentja për laborante dentare ka pasion për polifoninë.

Denada Kardhashi vjen nga qyteti i Gjirokastrës, aktualisht ndjek studimet e larta në Tiranë për laborante dentare. Ajo tregon se me muzikën polifonike është rritur, pasi babai dhe gjyshi i saj e këndonin në çdo festë familjare. Që në moshën 13- vjeçare ajo nuk është shkëputur së kënduari këngën labe, madje shprehet se ka mësuar dhe shoqet e saj në Fakultet, pasi iso është një terapi shumë e mirë sidomos para provimeve.
Komente 0