>
BIOSHQIP
Biografia
Këndon nga viti 2001 dhe angazhimi i saj në Top Channel ku ka kënduar në emisionin E diell, përfundoi pikërisht kur njerëzit nisën ta thërrisnin “Denisa e së Diellës”, ndërsa këngët e Top Fest dhe Këngës Magjike, nuk gjenden të gjitha në Youtube. Këndon këngë latine, greke, franceze, por edhe ato që i do më shumë, këngët shqiptare të Jugut.

Denisa ka lindur në Gjirokastër dhe ka kënduar në Kala, në Festivalet Folklorike, por edhe në Festivalet e Fëmijëve apo aktivitete të tjera artistike që zhvilloheshin në qytet dhe kjo shpjegon marrëdhënien e veçantë që ka me muzikën e këtij qyteti. Megjithatë ajo nuk i kthen shpinën asnjë lexhoje me notat dhe tekstet e këngëve, të çdo treve apo gjuhe qofshin. “Këto kohë po merrem me këngët e Shqipërisë së Mesme. Në fillim ishte pak e vështirë për mua, sepse nuk jam mësuar me atë muzikë, më është dashur ta studioj mirë, notë më notë, për të hyrë në brendësi dhe për ta interpretuar si duhet”, thotë Denisa, e cila ka studiuar për Kanto në Universitetin e Arteve dhe e ka mundësinë për të krijuar me muzikën një marrëdhënie të mbështetur në tërheqjen e fortë instinktive, por edhe në njohjen e thellë.

Ajo nuk ndalet asnjëherë së punuari fort. Muzika nuk krahasohet me asnjë fushë tjetër për nga interesi dhe emocioni dhe asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pasion të fortë. “Edhe sot kur dal në skenë kam të njëtën përlotje si atëherë kur isha fëmijë, por më pas nis të këndoj dhe arrij ta kontrolloj veten.” Denisa ka marrë pjesë shumë shpesh në Festivalet e Fëmijëve të Gjirokastrës, ku fitonte gjithmonë çmime të treta, siç tregon me çiltërsinë e saj, por një herë, duke qenë që fituesja e atij viti mbushi 15 vjeçe, këngën e saj në Festivalin e Shkodrës e interpretoi Denisa, ende 14 vjeçe, duke pasur kështu edhe një kujtim nga Festivali Kombëtar i Fëmijëve. “Profesori im I parë I kantos, Xhelal Angoni, më ka ndihmuar shumë, ai ka bërë këngët që merrja pjesë në festivale dhe ka qenë edhe profesori im në Lice”, kujton ajo vitet e fillimit të karrierës në Gjirokastër.

Më pas, kur u vendos në Tiranë për studimet e larta, nisi të krijonte kontakte të reja, por ndërkohë ishte njohur me grupin e muzikantëve Barabar ku bënte pjesë edhe Besian Xhemnica, tashmë bashkëshorti i saj dhe babai i djalit të tyre, që kur e kishin telefonuar për një koncert në Sarandë, në kohën kur ajo ende në Lice, bashkë me të motrën kishte nisur të këndonte në Gjirokastër, në të vetmin lokal me muzikë Live. Me pak fjalë ajo ishte shumë e njohur në qytetin e saj, por ardhja në Tiranë nuk ishte e lehtë, aq më tepër fillimet në një shkollë me konkurrencë të lartë siç është ajo e Arteve, megjithatë këngëtarja me zërin karakteristik, e mësuar tashmë me skenën, ia doli ta përfundonte me sukses. Studioi edhe frëngjisht gjatë viteve të Akademisë, për ta shtuar këtë gjuhë në repertorin e këngëve që interpreton me lehtësi, ku përfshihet dhe anglishtja dhe veçanërisht greqishtja, me të cilën është familjarizuar që në qytetin e origjinës.

Gjatë këtyre viteve dhe më pas do të vinin edhe këngët e saj të festivaleve të njohura Top Fest dhe Kënga Magjike, për të cilat ka bashkëpunuar me profesionistët më të talentuar të kësaj fushe, Shkëlqim Dule, Stine, Alban Male, Shpëtim Saraçi. Me Saraçin ka bashkëpunuar për disa këngë, “Rebus” në Top Fest, “Maksimum” në Hit Fest dhe “Kurrë si më parë” te Kënga Magjike, një këngë me tekst nga Sokol Marsi, që Denisa e ka shumë për zemër. Sigurisht një dashuri të veçantë ajo ka dhe për këngën “Sa të dua moj Gjirokastër”, që, edhe pse teksti është i Jorgo Papingjit dhe muzika e Valter Beqos, Denisës i buron nga zemra, e vërtetë, çdo fjalë dhe notë.

Më vonë ka realizuar edhe një tjetër që i përket, sërish, zhanrit të muzikës qytetare popullore, “Po martojmë vajzën e vetme”, e cila është shumë e përshtatshme edhe për dasmat ku ajo merr pjesë. “Mua më pëlqen shumë muzika shqiptare, muzika e vërtetë e tabanit”, rrëfen ajo dhe i vjen keq që ndonjëherë, nga bastardimet, kjo muzikë konsiderohet si e dalë mode, apo u vret veshin dëgjuesve, ndërkohë që është e vetmja muzikë që është pjesë e popullit që i përket, në çdo kohë, ndërsa shumë të tjera i sjell e i merr era e viteve.

Gati dhjetë vjet më parë, Denisa ka realizuar edhe një album me muzikë popullore qytetare, me titullin “Jam labike e Labërisë”, me kompozime të reja dhe disa këngë të njohura të trevave të Jugut. Ka qenë një bashkëpunim me Elrodin, për të cilin e ftoi Adi Hila, ndërsa shumicën e teksteve e ka krijuar e ëma, një nga ato gratë e rralla, e talentuar dhe energjike, që ka meritë të veçantë për mbështetjen e talentit të së bijës, një talent që e ka pasur edhe ajo, edhe pse me profesion është kuzhiniere. Dhe Denisa i ka ngjarë së ëmës edhe në kuzhinë.

Edhe pse shpesh, bashkë me Besianin, kthehen vonë nga dasmat apo netët live ku interpretojnë, Denisa nuk përton asnjëherë të nisë t’i përgatisë atij një pjatë të ngrohtë, duke të kujtuar rrëfimet për këngëtaren italiane Mia Martini, e cila, pasi ktheheshin nga koncertet, e mblidhte grupin e muzikantëve në shtëpinë e saj për t’iu gatuar dhe vetëm pasi kishin ngrënë mirë, largoheshin në shtëpitë e tyre. Ndërkaq mund të ketë zbardhur dita e re në shtëpinë e Besianit dhe Denisës, pak orë gjumë dhe pastaj një tjetër ditë e angazhuar. Kështu janë javët dhe muajt e saj prej vitesh, tre stinë në Cavaliero dhe verës në dasma.

Edhe kur u bë nënë, nuk qëndroi as dy muaj në shtëpi me djalin, sepse angazhimet e thërrisnin. Majë takave, me fustane mbrëmjeje, edhe pse natyra e saj e vërtetë është sportive, ajo duhet të jetë gjithmonë në top formë për të kënduar me orë të tëra live. Megjithatë, edhe nëse këpucët e larta, apo veshjet festive nuk janë gjithmonë në përputhje me natyrën e saj, në skenë ajo është plotësisht e sinqertë.

“Kjo është nga ato pak këngëtare që këndon edhe pa para”, thonë të bindur bashkëpunëtorët e saj që e kanë njohur pasionin e Denisës. Kjo nuk do të thotë që ajo sakrifikon orë nga jeta e saj, lodhet, rri larg të birit, për të mos u shpërblyer, por tregon përmbledhtas pasionin e pakrahasueshëm dhe të rrallë që ka për të kënduarin. Ky pasion ka dalë gjithmonë mbi përllogaritjet dhe strategjitë që artistët apo menaxherët e tyre sot ndërmarrin për t’u promovuar. Denisa e di që duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi rrjeteve sociale, që duhet të vrapojë për të gjetur bashkëpunëtorë për të marrë pjesë në festivale, që duhet të kujdeset për shpërndarjen e këngëve që ka interpretuar në studion e Së Diellës dhe Top Show-t, por kohë i ngelet pak. E megjithatë nuk trishtohet. Ajo nuk ka pasur kurrë për qëllim kryesor të bëhej shpejt e famshme. Dhe tani është shumë vonë për këtë. Ka 15 vite që këndon. Dhe megjithëse mund të mos jetë shumë e njohur, ajo e përjeton muzikën me intensitetin e një diveje dhe sinqeritetin e një fëmije që i rrëmbushen gjithmonë sytë para se të dalë në skenë. Në rrugën e artit të vërtetë, fama vjen pas kësaj.

Në Maj 2008, Denisa merr pjesë në Top Fest 5 me këngën "One Minute".

Në Maj 2009, Denisa merr pjesë në Top Fest 6 me këngën "Kjo Jete Qe Jetoj".

Në Maj 2010, Denisa merr pjesë në Top Fest 7 me këngën "Gjithmone Do Te Jesh".

Në Nëntor 2011, Denisa Gjezo merr pjesë në Kënga Magjike 2011 me këngën "Kurre Si Me Pare".

Në Maj 2012, Denisa Gjezo merr pjesë në Top Fest 9 me këngën "Rebus".

Më datë 19 Korrik 2013, Denisa Gjezo publikon videoklipin "Moj Sarande Moj Delvine".

Më datë 5 Gusht 2013, Denisa publikon videoklipin "Xhixnife".

Më datë 14 Maj 2014, Xhavit Dedej publikon videoklipin "Une Me Ty", në bashkëpunim me Denisa Gjezo.

Më datë 7 Korrik 2014, Altin Shira publikon videoklipin "Do Te Mbaj Si Princeshe", në bashkëpunim me Denisa Gjezo. Muzika e këngës u punua nga Jurgen Shira, teksti u shkrua nga vetë Altin Shira.

Në Maj 2015, Denisa Gjezo merr pjesë në Top Fest 12 me këngën "Nje Shpirt Te Dy".

Më datë 4 Janar 2016, Denisa Gjezo publikon videoklipin "Sa Te Dua Moj Gjirokaster".

Më datë 9 Gusht 2016, Denisa Gjezo publikon videoklipin "Po Martojme Vajzen E Vetme".

Më datë 19 Qershor 2017, Sidrit Bejleri publikon videoklipin "Sa Fort Te Du", në bashkëpunim me Denisa Gjezo. Muzika e këngës u punua nga vetë Sidrit Bejleri, teksti u shkrua nga vetë Sidrit Bejleri, ndërsa për orkestrimin u kujdes Shpëtim Saraçi. Videoklipi u prodhua nga Max Production.

Në Dhjetor 2017, Denisa Gjezo merr pjesë në Festivali i 56-të në RTSH me këngën "Zemër Ku Je".

Më datë 19 Korrik 2018, Denisa Gjezo publikon videoklipin "Pak Dashni". Muzika e këngës u punua nga Kledi Bahiti, teksti u shkrua nga Filloreta Raçi (Fifi). Videoklipi u prodhua nga MAX Production.

Më datë 10 Dhjetor 2018, Denisa Gjezo publikon videoklipin "Dua". Muzika e këngës u punua nga Enis Mullaj, teksti u shkrua nga Filloreta Raçi (Fifi), ndërsa për orkestrimin u kujdes Enis Mullaj. Videoklipi u prodhua nga kompania Four Infinit Production.

Më datë 4 Qershor 2021, Auren Mejdani publikon videoklipin "Zaman", në bashkëpunim me Denisa Gjezon. Teksti i këngës u shkrua nga Auren Mejdani. Produksioni audio u realizua nga Auren Mejdani.

Më datë 10 Shkurt 2022, Sidrit Bejleri publikon videoklipin "Sa Nji Jetë", në bashkëpunim me Denisa Gjezon. Muzika e këngës vjen si bashkëpunim nga Sidrit Bejleri & Ervis Caushi, tekstin e shkroi vetë Sidrit Bejleri, teksa për arranzhimin u kujdes Ervis Caushi. Videoklipi u prodhua nga kompania Pro Video.

Më datë 13 Korrik 2022, Denisa Gjezo publikon videoklipin "Ne Koke Te Beqarit". Teksti i këngës u shkrua nga Adrian Hila. Videoklipi u prodhua nga kompania Foxesfilm.