TEKSTESHQIP
Biografia
Lata Ajdini Musabelliu ka lindur në Kavajë, jetoi në Tiranë, e sot prej disa vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi kreu shkollën e mesme, ajo studio dhe punoi në fushën e estetikës dhe bukurisë duke ushtruar aktivitetin e saj në Tiranë.
Pasioni i saj për të shkruar ka lindur që herët në adoleshencë, duke u vlerësuar nga mësues të letërsisë asokohe. Ajo ka lindur me këmishën e poezisë dhe prozës!
Me shpërnguljen në Boston, ajo u fokusua në rrjetet sociale për ta mbajtur të fortë lidhjen me njerëzit e afërt në vendlindje, shoqërinë, dhe bashkëatdhetarët që tashmë ishin shpërndarë nëpër botë.
"Enciklopedi emocionesh" e konsideruan të gjithë këtë menaxhim perfekt që ajo bëri në mediat sociale, duke përfshirë aty: kulturën, traditën, zakonet tepër të bukura të zonës së Kavajës; gatimet tradicionale, fenë, artizanët, dhe rubrika të larmishme për të gjithë grupmoshat.
Ndaj kjo punë e pastër e autores, me shkrime të thjeshta pa u sforcuar, e mbi të gjitha plot botë dhe emocion, bëri që ajo të përftojë një audiencë të admirueshme ndjekësish.
Ky vlerësim dhe sukses bëri që ajo sot të ulet e të shkruaj, duke shpalosur aty talentin dhe pasionin në artin e bukur të të shkruarit.
Pothuajse pjesa më e madhe e shkrimeve të saj si për fëmijë, dhe të rritur janë ngjarje reale të përjetuara nga vetë autorja. Ajo mjeshtërisht ka ditur ti derdhë ato në vargje e rrjeshta, duke i bërë lexuesit e vegjël e të rritur të përjetojnë emocione tepër të bukura./Beqir Çurumi