TEKSTESHQIP

Ka ndërruar jetë më 17-6-2012

Biografia
Dorian Nini u lidh me muzikën që në moshë fare të vogël, qysh se ishte 8 vjeç, kur nisi të studionte për violinë. Ndonëse nuk mundi ta fitonte menjëherë Institutin e Lartë të Arteve për shkak të "njollave" në biografi, ai mundi të spikaste edhe në Ansamblin e Ushtrisë, ku u përzgjodh nga kompozitori Aleksandër Lalo. Pikërisht aty i ra në sy edhe kompozitorit Çesk Zadeja, i cili do t’i besonte një këngë në festivalin e 11-të, "Erdh’ një djalë në fshatin tim". Një këngë me motive tërësisht shqiptare, por që djali i ri i dha disa nuanca moderne gjatë interpretimit. Kënga u mirëprit nga publiku, por gjatë sulmit që iu bë këtij festivali nuk mund të shpëtonte edhe ai.

Menjëherë pas përfundimit të Institutit të Lartë e emërojnë në Pallatin e Kulturës së qytetit të Rrëshenit, ku punoi për shumë vite. Ndonëse larg kryeqytetit dhe jetës së gjallë artistike, Dorian Nini vazhdoi punën e tij edhe në Rrëshen, duke u bërë një nga njerëzit më të dashur për mirditorët. Kompozoi këngën për Mic Sokolin me vargje të Gjok Becit, këngën e Kamer Loshit e shumë të tjera. Në vitin 1982, në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, rrethi i Mirditës zuri vendin e parë. Në vitin 1984 do të kthehej në Tiranë, ku nisi të aktivizohet me kompozimet e tij në Dekadat e majit, në festivalet e fëmijëve e më në fund edhe në Festivalin e fundvitit.

Në vitin 1990 largohet nga Shqipëria për në Gjermani, ku jetoi deri sa u nda nga jeta. Pasionin për muzikën ua transmetoi edhe fëmijëve, të bijës, Enxhi Ninit, violiniste e njohur në skenat italiane dhe djalit të vogël Adrianit, i cili është kantautor. Viteve të fundit filloi të riaktivizohej në Festivalin e RTSH-së, duke kompozuar këngë për një brez të ri këngëtarësh, si Dorina Garuci, Erga Halilaj etj. Por ai do të ngjitej vetë në skenë për herë të fundit në edicionin e 49-të të festivalit në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Ai këndoi këngën "Mirë se vini në Shqipëri!" dhe bëri mjaft bujë ngjitja e tij në skenë, pasi në herën e parë dhe të fundit që kishte kënduar në skenën e festivalit të RTSH-së kishte qenë ai i 11-të, nga i cili nuk do të dilte pa u prekur. Dorian Nini nuk e dinte se kjo do të ishte hera e tij e fundit në Shqipëri.

Me 17 Qershor 2012, kompozitori dhe këngëtari Dorian Nini u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare. Një vdekje e parakohshme, për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme, e cila e ndau jo vetëm nga njerëzit e tij të dashur, por edhe nga projektet e shumta që ai la në mes. Dorian Nini mbylli sytë në një spital të Gjermanisë, ku jetonte prej vitesh dhe ku pas vështirësive të shumta mundi më në fund t’i kthehej sërish profesionit të tij.

DËRGOI: