Biografia
Entela është një këngëtare me një repertor të gjerë muzikor që përfshin zhanre të ndryshme si pop, rock, këngë qytetare dhe folklor nga të gjitha trevat shqiptare. Ajo interpreton me mjeshtëri si këngët moderne, ashtu edhe ato tradicionale, duke ruajtur thelbin kulturor dhe emocional të çdo kënge.
Pas emigrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Entela vazhdoi të kontribuojë fuqishëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe muzikës shqiptare. Ajo është një figurë e njohur në komunitetin shqiptar në New York, ku ka performuar në dhjetëra aktivitete kulturore, koncerte dhe festa kombëtare të organizuara nga shoqata si "Vatra – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës", duke sjellë këngët shqiptare në zemër të diasporës. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë aktive në organizimin dhe drejtimin e eventeve artistike që promovojnë artin dhe identitetin shqiptar.
Entela vjen nga një familje artistësh. Motra e saj e vetme, Julia Ilirjani, është një aktore e njohur shqiptare, e cila ka lënë gjurmë të rëndësishme në skenën teatrale dhe televizive.
Përveç përkushtimit ndaj muzikës, Entela ka ndërtuar një rrugëtim të suksesshëm akademik në SHBA. Ajo ka përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera, duke diplomuar me nderime (cum laude) në të tre ciklet: diplomë të parë në Asistencë Mjekësore (AOS), diplomë Bachelor në Menaxhim të Shërbimeve Shëndetësore dhe një Master në Administrim Biznesi (MBA). Aktualisht, ajo është në rrugën e saj drejt doktoraturës në Lidership Edukativ.
Entela Ilirjani është një shembull frymëzues i gruas shqiptare në emigracion – një artiste, aktiviste dhe intelektuale që ka arritur të ndërthurë pasionin për muzikën me një karrierë të suksesshme profesionale dhe akademike.