TEKSTESHQIP

(1903-1975)

Biografia
Lindi në Shkodër, i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nga lisi i tamblit ishte nip Parrucejsh, familje reshpere shkodrane fort e kamur. Ndërsa lisi i gjakut i tij kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, e rënë në krahinën e Anamalit rreth vitit 1700 së pari, e pastaj në Shirokë. Prej një të pari i mbeti nofka Kolaj, të cilës iu vendos prapshtesa -iqi prej tregtisë të vazhdueshme me Malin e Zi. Ishte i dyti ndër fëmijët, mbas Mikelit - që do të bëhej i pari kardinal shqiptar - dhe mbas tij vinin Leci, Guljelmi, Margerita, Viktori dhe Terezina. Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit "Cesare Arici" në Breshia dhe pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën "Noi giovani" (shq.: "Ne të rinjtë"), ku boton poezitë e para në italisht. Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, mëson shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet me rininë premtuese: K. Thaçi, L. Ashiku, Sh. e K. Gurakuqi, Dom L. Shantoja, K. e L. Kamsi. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë, të dhënë nga juria e përbërë prej P. Gj. Fishtës, F. Nolit, M. Frashërit, L. Gurakuqit. Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore "Rozafa" në një mbledhje me Z. Harapin nga shoqëria "Bogdani" dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin "Ora e Maleve" nën dorën e Imzot L. Mjedjës. Mbas Lëvizjes së qershorit, L. Gurakuqi e thërret në Tiranë si sekretar personal. Aderon në shoqërinë "Bashkimi" të themeluar prej të shuarit A. Rustemi, e drejtohej tashmë nga Ll. Fundo. Kalon më pas si sekretar në min. e Mbrendshme, ku ministër ishte kol. Rexhep Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes B. Omarit, S. Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela më 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-'33), ku mes të tjerëve do t'iu jepte mësim P. Markos dhe L. Radit gjegjësisht nëpër qytetet e përmendura. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta - siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike - kujtime të cilat do t'i shkruante mbas '70 me pseudonimin "Hilushi". Ndërkohë miku i tij M. Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924. Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-'36 ishte pjesëtar i grupit botues të të përkohshmes "Illyria" të I. Totos ku do të botonte poemthin në prozë Quattuor. Në po të njëjtën të përkohshme më 1935 do të zbulohej Migjeni me vjershën "Të lindet Njeriu" me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari C. Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën "Epica popolare albanese" ("Epika popullore shqipe") falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vjetët 1939-'41.