Dashurohu Njeriu Im

Nga cikli “Shën Valentinët e shkelur”

Dashurohu njeriu im, dashurohu ngapak,
puthu, ndjej aromë buzësh, ndalu pak,
qetësohu bre burrë, mos ushqe vetëm vrer,
bëhu njeri të paktën edhe njëherë.

Dashurohu njeriu im, dashurohu çdo orë,
të paktën me shpirt, të paktën me gojë,
thuaj dy fjalë, shkruaj dy vargje,
bëhu njeri, mos ndërto pragje.

Dashurohu njeriu im, dashurohu çdo ditë,
ik nga errësira, mbahu fort në dritë,
të paktën rri zgjuar, mos u bëj i trisht,
bëhu pra njeri, mos hap plagë në shpirt.

Dashurohu njeriu im, jo vetëm në 14 Shkurt,
kujto me kujdes çfarë thanë poetët e urtë,
Omar Khajam, të tjerë dhe yni Çajup’
ndaj mbush një kupë dhe puth një çupë.

Dashurohu njeriu im, por jo donzhuançe,
mbaj udhën e të mirit, jo atë nallbançe,
se çdo gozhdë e ngulur jo çdo patkua mban,
një kal i keqmbathur tërbon dynjanë.

Dashurohu njeriu im, siç e ka shkruar Zoti,
me dashuri lindi njeriu herët qëmoti,
tek dashuria është jeta, gëzimi, besa,
më thuaj njeriu im, mos të gënjeva?

Dashurohu njeriu im, është e drejta intime,
plot plagë në zemër iku nëna jote, nëna ime,
e tëra dashuri u bë një plagë e madhe,
kur puthja e tyre ishte një dhimbje ‘krenare’.

Dashurohu njeriu im, se sot nuk je i ndaluar,
por kjo s’do të thotë se ‘nderi’ duhet harruar,
plaga që dhemb të ngre duke ngrënë bukë,
plaga që mundon të lë edhe pa gjumë.

Dashurohu njeriu im, dashurohu në të gjitha stinët,
në diell, në borë, në furtunë e në shi të imët,
dashurohu në çdo moshë, por mos harro rininë,
se po braktise atë, ke harruar vetë dashurinë.

- poezi nga Fatmir Terziu


Nuk ka akoma asnjë votë