Presja

Presja ka humbur rrugën. Fjalitë
i hapën portat e arratisë,
bashkë me lakuriqët e errësirës
fjala shkundi marrëveshjen me të,
për hir të bubullimave të ditës,
vetë rregulli u bë veç një gdhë,
varr semantik mbuluar me gëzof politike,
imituar nga (për)thyerja e një pasqyre.

Shenja pikësimi janë bërë yjet,
një libër ku (of)shajnë përditë,
shenjëzat e ngjashme me vithet,
kacafyten me silazhet e shkumës,
që prodhuan këto ditë retë,
fjalët harbute: varëse në podiume
ku varet vetë hëna e shkretë.

Një presje tjetër tulatet të kryejë detyrën,
sa herë e pastra kthehet në gri,
gëzof i qashtër që kafshon tinëz,
lirinë e gushës ia harlis,
në këtë fushatë ku vetë fjalia,
është vetëm një mizë që të bezdis.

Fjalia është vetë maratona. Zhurma
pasqyrash që thyhen në qindra germa,
kur shpërthejnë rrufetë që prodhon turma
me trokthe të ngrira, britma të rrënda,
fjala hanxhar në thepin e dritës,
presja nuk është shenjë pikësimi e ditës?

Presja, e vetmja shenjëz e harruar,
ndez turmat përreth tribunës,
në këto ditë nuk qaset krejt e paftuar,
por strukur si mortja mes errësirës.

- poezi nga Fatmir Terziu


Nuk ka akoma asnjë votë