Tema: Poezi Dashurie

Manakinizëm

Manakinet u bënë me motra. Kozmetika
mori udhë të re, të gjithë pranuan të zbardhen,
tryezat, këndet, luksi në vila e zyra,
retë e nxirra u bënë gri,
qeshin rrugët, vellon e bardhë shtriu natyra,
lëmuar nga shkëlqimi i remë,
me kremin e shtrenjtë nëpër fytyra,
historia i bëri bashkë me lavdi,
të veja, të reja e seksin tjetër me habi,
kristale ngazëllimi e qafojnë pa fund,
gjithshka u duk se mori fund.
Krëhërat vërshojnë mbi tullacëri,
qiellin e godasin cifla xixëllonjash,
që bien pafund mbi ballo me ujdi,
në rrjetën me krahë mushkonjash,
gatuhet tryeza e flladit të ri,
bredhin sekserët nuk kanë pushim,
ushtri manakinësh deri në agim,
atje në fund të rrugës mbeti përsëri,
fati dhe statura e njeriut jetim.
Në orën e parë të ftesës zyrtare,
parfumi i mer frymën edhe ajrit,
djersijnë të ‘keqtrajtuarit’, shkërmoqin pare,
kjo është vëlla ‘jetim’ pesha e fatit,
të tillët janë kufoma mbi varre,
rrathët e tryezës në rrjedhën e arit,
po thuaj me shpirt ‘U vaftë mbarë!,
se koka i zbardhet edhe malit.
Në gushën e çdo dite të re,
varet gjerdani i fitores,
hapësira po vesh modën me nge,
për t’i fshehur nën vetulla gjethesh,
pse ngau kështu me ne,
kush e ktheu buzëqeshjen e dhimbjes?
Dhe çudia zbret ngadalë e ngadalë,
në sënduqe që qepen me fjalë,
fshihen bukuritë e viteve,
ftohur nga manakinët e ditës,
kah të heshtura presin pasditeve,
brenda mureve me xhama e mëndafshit të dritës,
shtatoret e ngrira të politikës.
Duart e fshehura të qiellit,
vazhdojnë të dirrigjojnë grinë,
tatëpjetë buzë përroit të vetëngritjes,
sidina e heshtjes mer arratinë e pritjes,
manakinët veshin zhurin e ri lëpirës,
maska të reja i vunë fytyrës,
valë të pellgut ende brejnë,
fatet jetime s’dinë nga vejnë.
Dikur u mësuan të kishin dy nëna,
se kënga i mësoi që në kopësht,
ikin tek fituesja, të gjithë nga e rëna,
manakinë të tillë, karakterë të dobët,
fundja nga e bëra deri tek e thëna,
as bariu i politikës s’i bënte bashkë lopët.

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1