>
BIOSHQIP
Biografia
Fatos Arapi lindi në qytetin e Vlorës(1923). Po atje ai kreu shkollën e mesme,
ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës
dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin
Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, Fatos Arapi
ka shkruar edhe disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa
kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në
mes,1986; disa drama: Partizani pa emër,1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku,1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla
Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë
turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. Poezitë e para Fatos Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet "Shtigje poetike" dhe
"Poezia dhe vjersha". Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të vëçantë në
artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin.Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke
u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe
të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese
të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge
të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica.
Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t'i përqeshë e përbuzë burokratët
dhe demagogët, si në poezinë "Antiburokratike", apo do të sjellë disa veçanti
përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë "Pse erdha në jetë". Siç shihet, poeti i thurr ode lirisë dhe "mejtimit të lirë" siç e quan ai. është synim dhe ideal
madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet.