(1956-1998)
Biografia
Fehmi Lladrovci lindi më 15 maj 1956 në fshatin Shkabë (ish-Gllanasellë) të komunës së Drenasit. Ishte i biri i Muhamet dhe Shefkie Lladrovcit. Ka qenë pjesëtar i një familjeje me tradita të shquara të ardhetarisë. Shkollën fillore e kreu në Dritan (ish- Dobrashec), të mesmen në shkollën teknike “19 Nëntori” -drejtimi i makinerisë-në Prishtinë, kurse në Zagreb të Kroacisë ndoqi studimet në Fakultetin Teknik-dega e makinerisë. Fehmiu që në moshën e re brumoset me ide patriotike. Ai i takonte plejadës së arsimdashësve të flaktë të kohës. Në vitet e para të shkollës fillore kishte mësues atdhetarin, mësuesin martir Fazli Greiçeci. Ishte njëri ndër militantët e çështjes kombëtare, i cili që herët kishte ndier mbi supet e veta peshën e robërisë shekullore të çizmes sllave. Dallohej me shumë tipare fisnike e burrërore, të cilat e dallonin Fehmiun nga moshatarët e tij.
Qysh si nxënës i shkollës së mesme, për shkak të aktivitetit të tij patriotik, Fehmiu ishte vënë në shënjestër të UDB-së së atëhershme. Lëvizjet e tij përcilleshin nga udbashët dhe shërbëtorët e tyre.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, me sukses të shkëlqyeshëm, Fehmiu do t’i vazhdojë studimet në Zagreb. Atje, ai krahas studimeve, do të bjerë në kontakt me shumë patriotë dhe mërgimtarë, ku do të vazhdojë aktivitetin patriotik dhe do të koordinojë punët me grupet ilegale që vepronin atëbotë në mërgatën tonë. Që nga fillimi i viteve tetëdhjetë, Fehmiu dhe bashkëshortja e tij e jetës dhe e idealit Xhevë Avdyl Krasniqi ishin anëtarë aktivë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, që asokohe vepronte në ilegalitet, përmes së cilës ata angazhoheshin për përgatitjen dhe mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre që jetonin të robëruar në viset e tjera etnike në Jugosllavi, për çlirim kombëtar.
Për shkak të veprimtarisë politike ilegale, Fehmiu, në fillim të shtatorit të vitit 1985, burgoset nga Sigurimi serb dhe dënohet me 10 vjet burg. Dënimin e ka vuajtur fillimisht në burgun hetues të Prishtinës dhe të Gjilanit. Pasi i shqiptohet masa e dënimit, e deportojnë në Lepogllavë e Stara- Gradishkë të Kroacisë. Duke përfituar nga një amnisti e qeverisë kroate, në vitin 1991, Fehmiu lirohet para kohe. Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë së AVNOJ-it, Armata e ashtuquajtur Popullore e Jugosllavisë sulmon Kroacinë. Fehmi Lladrovci së bashku me Jashar Prenkun e Dobrashecit dhe Mehmet Ukën e Gradicës, në shtator të vitit 1991, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, rreshtohen në frontin e luftës çlirimtare të popullit kroat. Fehmiu merr pjesë në shumë beteja të kësaj lufte, duke përvetësuar për mrekulli artin luftarak.
Në vitin 1993 shkon në Gjermani, me ç’rast vendoset në Munih. Në këtë kohë shquhej në mesin e bërthamës së parë të UÇK-së. Ai asokohe drejtoi Nëndegën e LPK-së për Gjermani.