TEKSTESHQIP
Biografia
Kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe në Tiranë. Lamaj është nje nga fabulistet me te mire shqipetare. Ka publikuar 60 libra, në faqet e të cilëve renditen mbi 3500 fabula. Disa nga titujt e librave: "Në verë dhe në dimër"; "Në kopshtin zoologjik"; "Tosi me fustan"; "Kush e hëngri mjaltin?"; "Gjelkokoshi zgjon derrkucin"; "Bilbili dhe gjinkalla"; "201 fabula"; "Dhelpra doganiere"; "Dhelpra e Trojës"; "Kafshët flasin"; "Bubi, beci dhe kaleci"; "1111 fabula"; "Papagalli pinguin"; "Një deve pranë Eifelit"; "Derri me tri këmbë"; "Fabula erotike"; "Gërvisht e gërvisht"; "Mikrofabula"; "Lakuriqi lakuriq"; "Miss Dhia"; "Mbreti xhuxh"; "Gici dhe polici"; etj. Fabulat e Ferit Lamajt janë përkthyer e botuar në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht e rumanisht. Krijimtaria e tij është ekranizuar në albume fabuleske nga TV shqiptar, nën interpretimin e aktorëve Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Lazër Filipi e Roland Trebicka.

Është hartues i përmbledhjes antologjike të fabulës shqiptare si dhe fitues i mjaft çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, ku spikatin: çmimi i parë në konkursin kombëtar të 45-vjetorit të Çlirimit (1989); çmimi "La Fonten" nga Ambasada Franceze në Tiranë (1995); çmimi "Libri më i mirë për fëmijë në gjuhën shqipe" (Maqedoni, 1996); çmimi i Karrierës (1996); medalja e argjendtë në konkursin ndërkombëtar "Il faro d'Argento" (Itali, 1998); medalja e argjendtë nga Biblioteka Ndërkombëtare e Poezisë (SHBA, 2002); medalja "Naim Frashëri i argjendtë" akorduar nga Presidenti i Republikës (2005); lista e Nderit e IBBY-t (Kinë, 2006).

Ka studiuar e hulumtuar në fushë të fabulës në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, SHBA, Bullgari, Rumani, Zvicër, Austri, Egjipt, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Çeki, Kinë. Është anëtar i Shoqatës Botërore të Fabulistëve si dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.