Biografia
Që në fëmijëri të hershme u dallua për talentin e saj vokal, duke nisur veprimtarinë artistike në moshën 6-vjeçare. Deri në moshën 15-vjeçare ishte aktive në skenat vendore dhe jashtë saj,ndërsa në vitin 1983 realizoi albumin e saj të parë me këngë patriotike në mënyrë ilegale. Ky album u përhap shumë shpejt pothuajse në çdo shtëpi shqiptare, duke zgjuar ndjenja të forta atdhedashurie dhe duke motivuar popullin në kohë të vështira për vendin.
Gjatë periudhës së okupimit serb, veprimtaria e saj artistike u përball me pengesa serioze institucionale. Repertori i saj me përmbajtje të theksuar atdhetare, veçanërisht kënga “N’Dardani bjen nji tupan”, teksti Hamit Aliaj u konsiderua problematik nga pushteti i asaj kohe, çka çoi në kufizimin e aktivitetit të saj muzikor. Pavarësisht këtyre rrethanave, ajo arriti të incizojë dhe të ruajë këngët e kësaj periudhe, duke lënë një trashëgimi të çmuar artistike. Në këtë album përfshihen edhe këngët “T’gjitha fjalët e gjuhës së bukur”, “Moj e mira nga Gjakova” dhe “Kam qëndisur një shami”, kjo e fundit kënga e parë e interpretuar publikisht prej saj në Obiliq.
Në moshën 21-vjeçare, Hajrije Preniqi emigroi në Holandë, ku jeton edhe sot. Ajo është nënë e katër fëmijëve, tre vajzave dhe një djali. Gjatë jetës në diasporë, aktiviteti i saj artistik ishte më i kufizuar, por ajo vazhdoi të kontribuojë rregullisht në vendlindje dhe në diasporë, duke marrë pjesë kryesisht në koncerte të mërgatës dhe në festa kombëtare shqiptare, duke mbetur gjithmonë e lidhur ngushtë me muzikën dhe traditën shqiptare.
Rikthimi i saj artistik u konkretizua me realizimin e albumit të dytë “KËNGËT TONA”, në bashkëpunim me producentin dhe këngëtarin Hysni Klinaku. Në këtë album spikati kënga “Amaneti i mërgimtarit’’, këngë që prek çdo zemër shqiptari. Ky bashkëpunim u pasua nga projekte të tjera të suksesshme, ndër to me albumin e tretë “Shtëpia e Prindërve”, teksti Anita Hoxha, një projekt me tematikë të thellë emocionale dhe kombëtare, i cili u mirëprit nga publiku brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunimet artistike vazhduan me paraqitje të shumta në Kosovë dhe diasporë.. Më pas, ajo realizoi edhe albumin e katërt “Jeho kënga ime”, duke forcuar më tej kontributin e saj në trashëgiminë muzikore popullore shqiptare.
Me rikthimin e saj artistik, Hajrije Preniqi ka realizuar mbi 50 këngë, të gjitha me përmbajtje atdhetare, shumë prej të cilave përfaqësojnë ngjarje dhe figura të rëndësishme të historisë sonë kombëtare si kënga “ Kenga e Mërgimtarit” teksti i shkruar nga Rexhep Selimi, muzika nga Naïm
Gjoshi. Në këtë kuadër, ajo ka lansuar edhe këngën ‘’Fjalët e fundit” Teksti Lumnije Klinaku, muzika Hysni Klinaku, kushtuar Ferdonije Qerkezit, si homazh për dhimbjen, sakrificën dhe qëndresën e nënave shqiptare, duke e kthyer këtë vepër në një mesazh të fuqishëm kujtese dhe respekti kombëtar.
Për kontributin e saj në ruajtjen e vlerave kombëtare dhe promovimin e këngës së mirëfilltë shqipe, ajo është dekoruar me mirënjohje të shumta nga vendlindja dhe diaspora.
Në vitin 2024, Hajrije Preniqi mbajti një koncert solistik me rastin e 40-vjetorit të veprimtarisë së saj artistike, duke konfirmuar rolin e saj të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm në ruajtjen dhe përcjelljen e muzikës popullore shqiptare ndër breza.
Kontribuan: