Biografia
"Në skenë"- thotë Hajroja "kam kënduar për herë të parë në vitin 1979. Kënga që kam kënduar titullohet "Sa e bukur je natyrë", të cilën e kishte kënduar më parë Artisti i merituar Shyqyri Alushi. Këtë këngë e kam kënduar në Tropojë ku drejtues muzike ishte kompozitori i famshëm Kolë Susaj, duke vazhduar më pas perfeksionimin e kësaj rruge nën kujdesin e kompozitorit të mirënjohur Xhavit Ujkani në H/C e Komanit, ku për vite me radhë organizoheshin "anketa muzikore" në të cilat kam marrë pjesë rregullisht duke u vlerësuar edhe çmime të para dhe të dyta. Në karrieren time mbi 30 vjeçare jam aktivizuar me ndërmarrjen SMT, me klubin e rinisë "Heronjtë e Vigut" si dhe me qendrën kulturore "Pjetër Gaci" në të gjitha festivalet që organizoheshin pas viteve '91. Gjithashtu jam aktivizuar rregullisht edhe me estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës duke u përfaqësuar deri në aktivitetet me televizionin shqiptar. Jam pjesëmarrës në shumë aktivitete kombëtare ku jemi vlerësuar edhe çmime të para dhe të dyta. Në vtin 2003 kam organizuar recitalin tim të parë, por dua të theksoj se në këtë recital isha shumë i lumtur pasi përveç spektatorëve të shumtë ishte duke më ndjekur edhe nëna ime e dashur dhe e shtrenjtë. Ndërsa në recitalin e dytë që sapo përfundoi, më mungonte gjysma e shpirtit, nëna ime, ajo që më rriti dhe më edukoi, duke u bërë kështu frymëzuese që unë të ndiqja me pasion e dashuri rrugën e bukur të artit dhe të këngës, pasi edhe ajo në kohën e saj ka kënduar."