>
BIOSHQIP

(1954-2023)

Biografia
Poeti Hamit Alia ka lindur në Kasaj të Tropojës, më 1.10.1954. Fëmininë e kaloi në vëndlindjen e tij, në një vend ku bashkëjetonin doke dhe zakone të shumëllojta, ku letërsia gojore dhe tregimi I legjendave të moçme akoma ishte riti i mbrëmjeve të gjata.Ditëve ai rriste shtatin në kodrat dhe livadhet e fshatit, trupin e kridhte në liqenet alpine dhe mrekullohej nga tingujt e fyejve te barinjëve që çdo verë ja mësynin bjeshkëve të Shkelzenit, ndërsa tufat e deleve, formonin në imagjinatën e tij poema pafund me vargje të bardha, ku natyra dhe njeriu jetonin duke marrë dhe dhënë, përditë nga njeri tjetri.Ky ishte sfondi, ku poeti së pari nisi të shquhet për fjalët e rralla, por të bukura që shqiptonte ndrojtshëm në odat e burrave, në takimet shkollore dhe më vonë në fletoret e thjeshta, që i fshihte diku nga shikimet e të tjerëve…Nëna e tij do të ishte mbështetësja dhe frymëzuesja më e madhe, një grua e fortë, e cila shpesh dinte të ishte edhe burrë, kur e jipte fjalën dhe i qëndronte asaj deri në fund. Ajo i dha jo vetëm dashuri prej nëne Hamit Alisë, por i mëkoi edhe shpirtin artistik, i hapi horizontin dhe i lejoi hapësirën e duhur shpirtërore të birit. Duke kuptuar se ai nuk ishte krejt i njejtë me fëmijët e tjerë, diçka më e rrallë po piqej në gjoksin e djaloshit të ri, që shpesh shihej i menduar, duke soditur larg yjet dhe hënën alpine, tek perëndonte në majat e Bjeshkëve të Nëmuna. Në sytë e tij të shkruar, vazhdimisht dukej se digjej një zjarr i brëndshëm…Vendosja e fshatit të lindjes përballë Kosovës, e cila ishte disa minuta afër, por mijra vjet larg, kur shikoje gardhin e klonit përshkuar nga korenti vdekjeprurës, për çdonjërin që do të mund të tentonte ta kalonte, ka qënë një dhëmbje e gjatë, një dilemë e madhe, por edhe një burim frymëzimi për shumë poezi të poetit, që natyrisht e vuante si çdo malësor paradoksin historik të ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut.

Arsimi
1982-1995: mësues në Gjimnazin e Bajram Currit
1995-2001: drejtor i QKF, Bajram Curr
2001-2003: këshilltar i Jashtëm në Ministrinë e Kulturës, Tiranë
2003-2005: Drejtor i Agjensisë Qëndrore të Librit, Tiranë
2011- 2014: specialist në Komitetin Shtetëror për Kultet, Tiranë
Puna kërkimore, letraro-artistike e shkencore

Libra me poezi:
1974: Bjeshkët janë mbiemri im, Tiranë
1979: Epike ( me bashkëautor), Prishtinë
1986: E ruaj një fjalë për ty, Tiranë
1990: Lotin nuk ta fal, Tiranë
1997: Mungon viti Një, Tiranë
2006: Njëqind vjet e Martë, Tiranë
2012: Ali Iber Nezaj (monografi), Tiranë
2017: E hëna e përtej botës
2021: N’Dardani bjen nje tupan

Studime shkencore-letrare
1979: Epika legjendare shqiptare ( Arkivi i Fakultetit të Filologjise)
2009: Tri shenjtëri të mëdha ( në hyrje teëlibrit "Dervish Luzha nje yll drite" )
Shenim: Redaktor i mbi 30 librave artistik e studimor për kulturen e historinë. Titujt e këtyre librave janë të regjistruar në sistemin kompjuterik të Bibliotekes Kombëtare, Tiranë

Skenare filmash dokumentare :
1981: Ylbere mbi Alpe
Moj sharki e lehtë si era ( kushtuar Dervish Shaqes)
1997: Zambakët e munguar ( kushtuar shkrimtarit Sulejman Krasniqi në 60-vjetorin e lindjes )
2000: Ylberi i Lirise ( kushtuar çlirimit të Kosovës )
2000: Nga lufterat vijmë... ( realizuar në Kosove për RTSH )
2002: Pranverat që ndalen rrugës
2008: Agu i Lirise ( realizuar në Kosovë me 17 shkurt 2008 diten e shpalljes së Pavarësisë)

Janë nga i njejti autor edhe shumë dokumentare të tjerë, të cilët gjenden në Arkivin e TVSH-së.
Publicistike: Autor i mbi 200 shkrimeve kryesisht në zhanrin e esesë, portretit letrar dhe reportazheve. Keto shkrime janë te botuara në periodikun e kohës.

Kenge:
Autor i mbi 200 këngëve:
Autor i të gjitha këngëve të Ansamblit Dardania në Festivalin e Gjirokastres 1988 dhe në atë të Beratit 1995.

Çmime në konkurset kombëtare e ndërkombëtare :
1973: Çmimin e parë për poezi në konkursin e letrareve të shkollave të mesme të Republikës 1973: Çmimi i tretë për liber poetik në konkursin e 30- vjetorit të Ushtrisë
1974: Çmim për liber poetik në konkursin e 40- vjetorit të Çlirimit
1977: Çmimi i parë në publicistikë në konkursin vjetor të gazetes " Drita "
1977: Çmimi i parë për dokumentarin e 20- vjetorit të Universitetit të Tiranës
1981: Çmimi i parë për dokumentarin " Ylbere mbi Alpe " ( me bashkëautor S.Bucpapaj )
1982: Çmim i dytë në Konkursin Kombetar të 70- vjetorit të Pavarësisë, për librin poetik " E ruaj një fjalë për ty"
1999: Çmim i parë në Festivalin e Gjirokastrës për tekstin e këngës " Ani Rushe Rexha..."
2000: Çmim i parë në Festivalin e Këngës Qytetare Tiranë, për të njejtin tekst 17 dhjetor
2006: Çmim i parë i shoqeruar me " Gold Coup " ( Kupa e Artë ), për cikel me poezi në revisten " Fatjon Art", Detroid, SH.B.A
2017 : Libri “ E hëna e përtejbotës” shpallet libri më i mirë poetik i vitit nga Klubi letrar “ Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë

Mirenjohje e tituj:
1983: dekoruar me medaljen " Naim Frashëri" nga Kuvendi Popullor
1988: " Urdhëri i punës i klasit të 3-të” nga Kuvendi Popullor
2002: titulli " Krenaria e Qytetit", B.Curr
2008: titulli " Nder i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar"
2012: titulli "Mirënjohje" nga Komuna Margegaj, Tropojë
2014: titulli ''Mjeshtër i Madh'' nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë
2019: titulli “ Qytetar Nderi” nga Bashkia Tropojë

Poeti i njohur, Hamit Aliaj, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare. Lajmi i trishtë është bërë me dije nga gazetari Luan Rama, i cili më herët bëri të ditur se poeti ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.

Me nderime të larta shtetërore, qytetare e familjare, poeti i shquar Hamit Aliaj Mjeshtër i Madh, u përcoll me homazhe në vendlindjen e tij, në Tropojë, Shqipëri. Në ceremoninë përcjellëse para Muzeut Historik të Tropojës mbajti një fjalë kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberaj. Për krijimtarinë, jetën e veprimtarinë e tij folën miqtë e tij, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ish-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, poeti e shkrimtari Besnik Mustafaj dhe krijuesi e studiuesi nga Kosova, Kamber Kamberi. Gjithashtu, folën edhe të afërm të tij, veprimtari i njohur i Tropojës, Ali Berbati dhe kryetari i Shoqatës së Shipshanit, Besnik Bajraktari. Këshilli Bashkiak i Tropojës rrugën kryesore të fshatit të tij të lindjes, Kasaj i Shipshanit e pagëzoi me emrin e poetit të shquar Hamit Aliaj. Folësit në ceremoninë përcjellëse vunë në dukje meritat e mëdha dhe vlerat e larta të 7 librave të tij poetik të vlerësuara edhe me çmime kombëtare që siç thotë një akademik emri i tij i bën nder edhe letërsisë evropiane. Ndërsa, me tekstet e mbi 200 këngëve të tij si “N’Dardani bie një tupan etj., siç thotë një poet e mik i tij ishte “ishte UÇK para se të krijohej UÇK”, sepse këngët e tij ishin himne të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës.