Biografia
Pas kryerjes së shkollës së mesme të muzikës në Prishtinë, si rezultat i punës me përkushtim në kultivimin e muzikës, më 1991 doli kaseta e tij e parë me titull "Mallkoj Vehten". Kjo kasetë e tij, e cila ishte botuar në 3000 exemplarë, u shpërnda jo vetëm tek ne, por edhe në tërë Europën dhe në SHBA. Kjo shpërndarje bëri jehonë dhe zgjoi interesim të madh, kështu që, produksioni i parë i kasetave "Albanota" mori të drejtat për botimin dhe shitjen e saj. Me këtë kasetë, këngëtari Hidaver Osmani fitoi një publicitet të madh dhe një rejting të lartë. Këtë e dëshmon edhe marrja e vendit të parë në shumë toplista të radiove të kësaj kohe si dhe zgjedhja e këngëtarit të vitit për vitet 1991 dhe 1992. Më pastaj, në festivalin "Kumanova këndon" që organizohej në Kumanovë, zuri vendin e parë dhe ishte këngëtar i vitit për vitin 1993, kurse më 1994 zuri vendin e dytë. Në festivalin e ROCK-ut, në të cilin merrnin pjesë grupet nga të gjitha trojet shqiptare dhe i cili u mbajt në palestrën sportive në "Kale" të Shkupit, prezentohet me grupin "Boemët" me dy këngë nga albumi i tij. Më tutje vazhdojnë sukseset e tij në festivalin argëtues "Nota Fest", në të cilin merr pjesë me një këngë e cila u mirëprit nga publiku dhe nga juria e festivalit e cila nuk kurseu kritikat e shumta pozitive. Këngët më të dëgjueshme të kësaj kohe janë: "Mallkoj vehten", "E pabesë", "Jo, s’dua të jetoj" dhe "Nora". Më 1993 publikohet dhe del në shitje albumi i tij me tetë këngë argëtuese që titullohej "Lotët vijnë nga shpirti". Nga ky album, poashtu, dolën disa hite që u mirëpritën nga publiku dhe dashamirët e muzikës argëtuese dhe të këngëve të lehta, si: "Ndarja jonë", "A është mëkat", "Ndryshuan rrugët tona" etj. Më 1995, publikon albumin e tij të tretë të titulluar "Kot mundohem të harroj", i cili poashtu, u mirëprit nga publiku dhe shpesh dëgjoheshin në radio e televizione të ndryshme. Këngët më të dëgjuara të këtij albumi janë: "Meri, Meri Merita", "Pranvera pa ty", "Asaj". Sukseset nga puna e tij e palodhshme nuk kanë të ndalur edhe më tutje. Kështu, më 1999 publikon albumin "Ankthi si hije", e cila nuk pati publicitetin si ato të mëparshmet për shkak të klimës së rëndë politike që mbizotëroi në vitin 2000 dhe e cila klimë, më pas, rezultoi edhe me luftën e vitit 2001. Më 2004 pason albumi i tij me titullin "Nomadja", i cili është i pesti me radhë. Në këtë album vërehet një ndryshim në zhanrin e tij të preferuar muzikor si dhe vërehen disa gërshetime të llojeve të ndryshme të muzikës dhe instrumenteve. Poashtu, ky album veçohet edhe me aranzhmane të punuara nga maestro AFFA-Bend. Nga ky album dolën mjaft këngë të mirëpritura dhe të dëgjueshme për publikun, por shpërndarja nëpër disa troje shqiptare nuk ishte e mjaftueshme. Kjo ndodhi për shkak të përhapjes së Internetit, i cili e zvogëloi interesimin për kaseta dhe CD. Nga ky album këngët më të dëgjueshme ishin "Nomadja" dhe "Kumanovarja".
Kohët e fundit, Hidaveri merret ende me muzikë, por më shumë duke argëtuar publikun në kafiteri të ndryshme, nëpër ahengje e mbrëmje të maturantëve. Është kultivues i muzikës së mirëfilltë shqipe dhe fokusi i tij është kultivimi i muzikës argëtuese dhe dëshira e tij e veçantë është që të gjithë simpatizantët e tij të jenë të kënaqur me muzikën që e kultivon ai.