Biografia
Ai shkëlqeu në profesionin e tij si balerin profesionist në talent show ‘Amici’ të drejtuar nga moderatorja e famshme Italiane Maria De Filippi, në një nga kanalet më prestigjoze të Italisë Mediaset Canale 5. Ilir Shaqiri gjithashtu ka marrë pjesë si president i jurisë në ‘Dancing with the Stars’ Albania për 6 vite radhazi. Një hap i rëndësishëm në karrierën e tij profesionale është krijimi i akademisë së tij ‘Etoile d’Ilir’ ku ka arritur të nxjerrë qindra balerinë profesionistë. Viti 2003 është viti ku do të fitojë titullin ‘Ambasador i Shqipërisë në Botë’, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, ndërsa në vitin 2006 merr çmimin në Itali si personazhi më i mirë i televizionit, ’Tv- Radio corriere Miglior Personaggio Televisivo’.
Viti 1993 do të shënojë një vit të rëndësishëm për karrierën e tij. Ai merr pjesë në shfaqjen e ‘La Corrida’ një talent show ku performon si balerin profesionist. Ky ishte një nga hapat më të rëndësishëm të karrierës së tij. Pas pjesëmarrjes në këtë talent show, ai punoi për disa vite si balerin profesionist në emisione të ndryshme televizive, si ‘La sai l’ultima’, ‘C'è Posta per Te’, ‘Buona Domenica’, ‘Saranno Famosi’, ‘Amici di Maria De Filippi’ duke shkëlqyer në profesionin e tij. Arritjet ndër vite i dhanë mundësinë të ndërtonte akademinë e tij të parë ‘Etoile d’Ilir’. Shumë studentë morën mësimet e para të baletit për të nisur më pas dhe ata karrierën si profesionistë.
Vitet 2012-2018 do ta gjenin si president i jurisë në ‘Dancing with the Stars’ Albania ne televizionin Vizion Plus.
Për herë të parë në tetor të 2021 në Shqipëri do të nisë edicioni i parë ‘Big Brother Vip’ Albania në Top Channel, ku Ilir Shaqiri bëhet pjesë midis personazheve të tjerë të njohur. Viti 2022 sjell arritjen e tij të radhës. Ai triumfoi duke dalë fitues i këtij edicionit të parë, i cili do të mbahet mend gjatë pasi arriti të thyente çdo rekord shikueshmërie të emisioneve në Shqipëri.
Në vitin 2000, Iliri njihet me Emanuela Morini, aktore e famshme italiane. Ata u njohën gjatë një programi televiziv në Milano, ku merrnin pjesë të dy. Nisën të bashkëjetonin në Romë të Italisë për të finalizuar lidhjen e tyre me martesë. Nga kjo martesë erdhi në jetë vajza e tyre Emily Shaqiri më 16 tetor 2004. Emily, që në moshën 4 vjeçare përzgjidhet për shërbimin e parë fotografik si një modele fëmijë. Më pas, në vitin 2010 ajo merr pjesë në programe të rëndësishme televizive italiane dhe në 2018 ajo do të njihet në shumë vende pas debutimit të saj si aktore dhe balerinë ne Miracle Tunes.