TEKSTESHQIP
Biografia
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka shkruar mbi 200 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Irma Kurti filloi të marrë pjesë si autore e teksteve në veprimtari muzikore qysh në bankat e shkollës së mesme. Ndër debutimet e para përmendim këngën "Qyteza e Naftëtarit", në Festivalin e Qytetit të Kuçovës në 1983 të kompozuar nga Aleksandër Vezuli si dhe në Festivalin e Studentit me këngën "Çel një këngë e re në zemër" në 1984, ku kënga u nderua me çmimin e parë.

Më pas do të vijonin bashkëpunimet me kompozitorët Ilir Dangëllia, Luan Zhegu, Ferdinand Deda, Hajg Zaharjan, Osman Mula në këngët "Urimi yt" (Festivali i Interpretuesve, Ermira Babaliu, Qershor 1986), "Mbrëmja që mban dashurinë time"(Festivali i 25-të i RTSH, 1986), "Pranë të kaltrit det" (Kur vjen pranvera, 1987), “Një çast në kujtesën tënde” (Festivali i 26- të i RTSH, Gëzim Cela, 1987), "Letër malli" (Kur vjen pranvera 1988), “Nën qiellin e kaltër të rivierës” (Festivali i 28-të në RTSH, 1989), "Shikomë në sy"(Frederik Ndoci e Anita Bitri, dhjetor 1989), “Trokite tek dera” (Luan Zhegu, Koha në pentagramin tim, 1989), “Nuk iu zemërova pranverës” (Kozma Dushi & Luan Zhegu, Kur vjen pranvera 1990), “E njëjta ëndërr” (Ermira Babaliu, Festivali i RTSH, 1994), “Nën dritën e qirinjve” (Kastriot Tusha, 2005) që mbeten të paharruara për publikun.

Ka patur bashkëpunime të shumta me Agron Xhungën, për t’u përmendur kënga: “Befas zgjohem” interpretuar në Festivalin e 41-të në RTSH, 2002, nga Ingrid Jushi (çmimi i parë); gjithashtu, me kompozitoret Nonda Kajno, Aleksandër Kolshi, Galliano Borsato, Petrika Agolli si dhe me Edmond Rrapin ku veçojmë “Kujtimet e mia kërkoj” (çmimi i parë, Merian Gjata, Këngët e Stinës 2000).

Janë për t’u theksuar bashkëpunimet me kompozitorin Zinçe Mimidinoski që i kanë sjellë dhjetëra çmime dhe vlerësime në festivalet për fëmijë në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë.

Irma Kurti është e vetmja poete shqiptare që shkruan tekste këngësh në tri gjuhë: në shqip, italisht, anglisht dhe që ka bashkëpunuar, krahas kompozitorëve shqiptarë, edhe me kantautorë italianë, amerikanë, kanadezë, kilianë dhe turq. Tekstet e saj dallohen për lirizmin, origjinalitetin dhe stilin rinor që përcjellin tek dëgjuesit e muzikës së lehtë.
Në vitin 2024, debutoi si këngëtare me këngën: "Streha", me tekstin e shkruar prej saj dhe të kompozuar nga Petrika Agolli, për të vijuar me interpretime të tjera si: “Në avion me ty”, “Letra të djegura” etj.

Vlerësimet Në Itali Dhe Në Botë:

Irma Kurti ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 100 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Greqi, Zvicër, SHBA, Kanada, Filipine, Liban dhe Kinë.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar "Universum Donna" për letërsinë dhe emërtimin "Ambasadore e Paqes" nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin "Akademike dhe Presidente Nderi" e Enciklopedisë Poetike Italiane.

Në 2021 nderohet me çmimin "Liria" nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Po ashtu, i janë akorduar çmimet "Leonardo da Vinci", 2021 dhe "Giacomo Leopardi" nga Shoqata Kulturore "Chimera" në Leçe.

Në vitin 2022 u nderua me çmimin "Ambasadore Europiane" si dhe "Poetja më e mirë e vitit" për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. I është akorduar titulli "Damë e Urdhërit të Dante Alighierit" nga Republika e Poetëve. Është nderuar me diplomën e meritës dhe medaljen Grazia Deledda nga Komiteti Kombëtar brenda Enciklopedisë Poetike WikiPoesia me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetes së madhe italiane.

Irma Kurti është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjoz Naji Naaman Literary Prize, 2023 në Liban. Ajo u vlerësua me "Çmimin e Kulturës" në Konkursin Ndërkombëtar të Letërsisë AIDO, në Coccaglio, Brescia, në 2024.

Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Ajo ka botuar mbi 115 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar.

Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 23 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Gjermani, Portugali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë, Moldavi, Algjeri dhe Guatemalë.

Kontribuan:
test
KOHËSHTRIRJA
▸ {{ evt.subtypes.replace(/\|/g,'  ▸ ') }}
{{ evt.descrip }}
📆  {{ evt.fancy_date }}